Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reaguar pas nisjes së heqjes së barrikadave në veri.
Me anë të disa postimeve në Tëitter, Rama tha se shfaqja zgjati ca më shumë, por që nuk pati ndonjë zhvillim të ri.
“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!”, tha ai.
Ai ka thënë se nuk pajtohet që barrikada është mjet i protestës paqësore.
“Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!”, shtoi Rama.
“Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!“, përfundoi Rama.