
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e quajti “fatkeq” skandalin me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën arrest shtëpiak, nën dyshimin për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Me t’u kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama iu drejtua shqiptarëve nga aeroporti, ku tha se Hyseni kishte marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet sekrete partnere.
“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e shërbimit informativ të shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit”, tha ai.
Rama tha se e ka vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ.
“Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive. Ndërsa orvatjet e këtyre ditëve për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH-it me tyrli lloj fantazish konspirative, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën”, tha ai.
Në vijim ai shpjegoi se si e emëroi atë në krye të shërbimit sekret të vendit.
“Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si dhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere — nënvizoj: e shkëlqyera — ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit”, tha ai.
Rama tha se Hyseni tani “ka hapur llogari të vështirë me drejtësinë” dhe “i ka borxh të madh moral” Shqipërisë.
“As nuk vihet sot në diskutim se ish drejtuesja e SHISH-it ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend ku mori besim të pakursyer”, tha ai.
Fjalimi i plotë i Ramës:
Sapo jam kthyer nga Nju Jorku, ku siç e dini, përfaqësova Shqipërinë, në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Vendosa t’ju drejtohem menjëherë nga këtu, në aeroportin ‘’Nënë Tereza’’, sepse zhvillimet e ditëve të fundit, pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ, kërkojnë një adresim të menjëhershëm dhe të drejtëpërdrejtë. Sy më sy.
Ishte padiskutim një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç të shtetit. Po unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatën ta vendosë atë masë. Nuk e kam bërë në asnjë rast më parë dhe nuk do ta bëj as në këtë rast. Çdo dyshim i arsyeshëm, për këdoqoftë, duhet të hetohet deri në fund.
Çdo akuzë e ngritur, ndaj kujtdoqoftë, duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindoqoftë që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetem në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës.
Këto piketa të vijës së sjelljes sime e të shumicës qeverisëse ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu. Për të gjithë. Por nga ana tjetër, respekti për pavarësinë e drejtësisë, nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit, u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.
U desh, që të dhëna të dosjes hetimore, të vërshonin nëpër kanale sociale e tezga mediatike, përpara se sa gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre. Natyrisht pa asnjë sukses.
Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit dhe prandaj edhe kjo qasje e lëshuar, si pa duar, i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë.
Me fjalë të tjera, nuk është me siguri hera e parë në historinë e botës, që shefi i shërbimit sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës, që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar e ndërkombëtar thashethemesh mediatike, për shkak të mosmarrjes së asnjërës prej masave, që shtetet marrin në një rast kaq fatkeq sa ky.
Që të jemi shumë të qartë:
Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. As kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim.
Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrësesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. E këtu rivijmë në fakt tek një pikë që e kemi hasur edhe më parë, prandaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkarisht dhe seriozisht.
Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal.
Siç e thashë kur doli masa e arrestit, unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ. Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive.
Ndërsa orvajtjet e këtyre ditëve, për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH-it me turlilloj fantazish konspirative, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën. Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë.
Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje, në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë.
Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere – nënvizoj, e shkëlqyera – ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit.
As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend, ku mori besim të pakursyer.
Por, po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrësesi më i drejtë, kur njerëzit e vendosur nën hetim nga prokuroria, linçohen nëpër tezgat mediatike, sikur të ishin shtriga të lidhura mbi turrat e druve të Mesjetës.
As kjo shoqëri nuk bëhet kurrësesi më e mirë, kur i fryn zjarrit të atyre turrave me bulçitë e urrejtjes së kanaleve sociale, ndërkohë që mbllaçit e rimbllaçit nëpër pazar kinse sekretet hetimore, të cilat nxirren në mexhelis nga brenda institucioneve të drejtësisë, duke e katandisur prezumimin e pafajësisë në një leckë të djegur.
Askush nuk mund të pretendojë që sekretet hetimore t’i ruajnë mediat, sepse mediat ekzistojnë për të zbuluar jo për të mbuluar.
Prandaj problemi nuk nis tek zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren si gazetarë nga prokurorë apo gjykatës të caktuar, për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa filluar ende gjyqi – njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet vetëm një formalitet.
Prandaj ky problem gjithnjë e më shqetësues, i cili nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, poshtëruar, nënshtruar e dënuar publikisht njeriun përpara se ta gjykojë gjykata, nuk mund të anashkalohet më tej.
Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e politikës, sipërmarrjes apo krimit, duke e normalizuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e shumëpritur e drejtësisë nuk mund të shfaqet assesi si pavarësi nga Kushtetuta, si papërgjegjshmëri ndaj ligjit, si shkëputje nga të drejtat e njeriut dhe si shpërfillje ndaj etikës shoqërore.
Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë. Gjykata ka të drejtën dhe detyrën të gjykojë. Media ka të drejtën dhe detyrën të zbulojë, informojë, kërkojë llogari.
Por askush nuk ka të drejtën ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit, e jo më pastaj ta dehumanizojë botërisht.
Shteti ligjor provohet në çdo hap dy herë; me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe me disiplinën për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton – edhe sikur ky të jetë krimineli më i madh.
Për sa më takon, si për çdokënd tjetër, në çdo rast tjetër, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë.
Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar rreth kësaj teme në vetvete.
Por tani kam ende për të thënë mbi kuptimin politik të këtij zhvillimi, pasi edhe këtë herë, u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë e përgjithshme, kundër qeverisë dhe sigurisht, edhe kundër meje personalisht, me refrenin e shfrenuar, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”…
Të dashur zgjedhës e zgjedhëse, pavarësisht bindjeve e kahjes së votës,
Fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, edhe anëtarë të qeverisë a bashkëpunëtorë të saj, nuk provon kurrësesi se na mbyti korrupsioni apo se korrupsioni po rritet. Përkundrazi.
Fakti se në episodet e këtij kapitulli të ri, të dobishëm e të shëndetshëm për Shqipërinë, hetimet e pavarura u hapin llogari me drejtësinë individëve të veshur me pushtet apo të lidhur me pushtetin, nuk provon assesi që shumica qeverisëse është e korruptuar.Përkundrazi.
Ky fakt, këto episode, kjo histori e re drejtësie në Shqipëri, ku, kurrë më parë, s’ka pasur asnjë lloj drejtësie të pavarur, sepse s’ka pasur kurrë më parë një udhëheqje politike të interesuar për t’i dhënë pavarësi drejtësisë dhe as ka pasur një forcë politike të gatshme për të mbështetur një drejtësi të pavarur,
duke i marrë përsipër kostot e saj mbi lëkurën e vet, provojnë krejt, po krejt të kundërtën e avazit, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”…
Ato provojnë se korrupsioni nuk po rritet, por po goditet.
Ato provojnë se shumica qeverisëse nuk është e korruptuar, po është e palëkundur në mbështetjen e organeve të pavarura të luftës kundër korrupsionit, edhe dhe mbi të gjitha brenda radhëve të saj.
Ato provojnë se ne jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reformat e masat e mëtejshme anti-korrupsion nga ana e qeverisë, qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi anti-korrupsion i organeve të pavarura të drejtësisë.
Patjetër, e kam fort mirë parasysh, se sa herë del një rast i ri, ku një bashkëpunëtor a zyrtar i lartë ose i ulët, përshihet në librin e llogarive me drejtësinë, rimerr hov drejt meje avazi i vjetër, vulgar dhe përqeshës:
“Po si mund të mos e dija; po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë; po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës; po si si si…” Sepse sipas atij avazi, kryefajtori i çdo rasti jam pikërisht unë, që e desha kur askush nuk e besonte si të mundshme, e udhëhoqa kur shumëkush e donte të vdekur dhe e mbroj si askush tjetër Reformën në Drejtësi.
Por ja që një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd, që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, sepse përndryshe shkelësi është ai vetë.
Kryeministri dhe krejt shumica qeverisëse gjykohen nga qëndrimi që mbajnë dhe veprimi që bëjnë, kur hapet llogaria e drejtësisë për dikë mes tyre apo pranë tyre.
A e justifikojnë? A e mbrojnë? A i kundërvihen drejtësisë apo e lenë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe individin të mbajë përgjegjësinë e vet?
Unë premtova rilindjen e një Shqiperie të rrënuar dhe shtetbërjen europiane të Shqipërisë, jo një qeverisje ku askush nuk do të shkelte askurrë në dërrasë të kalbur dhe as një administratë engjëllore, ku xhagajdurët do të avullonin me urdhërin e peshkut, kur I thonë fjalës.
Mirë do ishte, por se ka arritur kush në botë.
E mbi të gjitha unë u zotova për çlirimin e pavarësimin e drejtësisë dhe fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm, pavarësisht përkatësisë politike apo afërsisë me majën e pushtetit politik.
Dhe ky është ndryshimi historik që sot po ndodh, ndërkohë që pyetja me vend, nuk është si ka mundësi të mos e dijë kryeministri kur një vartës i tiji shkel ligjin, po është si mund ta dijë kryeministri që vartësi i tij po mendon ta shkelë ligjin apo po vepron fshehtazi në shkelje të ligjit?
Kryeministri as nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e çdo individi përballë tundimeve të pushtetit, as e ka të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët e vet se çfarë bëjnë nën rrogoz dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt kur ajo fillon të kurdiset për të punuar së prapthi.
Prandaj edhe demokracitë kanë organe qeverie, po kanë edhe organe të pavarura drejtësie dhe prandaj e kam kërkuar me aq këmbëngulje Reformën në Drejtësi dhe e mbështes me kaq vullnet drejtësinë e re – përtej të gjitha boshllëqeve e lajthitjeve të saj, sa të dhimbshme, aq edhe të kuptueshme.
Tani unë me siguri dhe e them sinqerisht duhet të kem fajet e mia, padiskutim.