Ramadani i AAK-së kritikon Kurtin, thotë se takoi “mikun e Putinit”

14:56 | 26 October 2019

Burim Ramadani nga AAK me kritika ndaj Albin Kurtit.

Ai e ka kritikuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për takimin me aktorin e njohur francez, Gerard Depardieu, duke e konsideruar mik të Vladimir Putinit.

“Me Gerard Depardieu? Seriozisht? Gabim Albin, gabim! Po ku t’u gjet një mik i Putinit, pavarësisht vlerave artistike që mund të ketë ai?”, ka shkruar Ramadani në një postim në rrjetin social Facebook.

“Sikurse ke thënë para 4 ditësh për nobelistin Handke, ‘shkrimtarin nuk mund ta gjykojmë assesi si të pavarur prej vetes, veprës e fjalës së vet’. Po Depardieun, e gjykove të pavarur prej vetes?”, ka shtuar më tej ai.

Depardieu po qëndron në Tiranë si pjesë e ekipit të filmit “Unë dhe Millosheviqi”, me regji të Arben Kastratit. Kurti bashkë me kryeministrin shqiptar Edi RAma, kanë takuar aktorin francez dhe ekipin kosovar të filmit, gjatë një pauze të takimit që kanë pasur mbrëmë.

“Në mes të një bashkëbisedimi të gjatë prej disa orësh me Albinin, ku hapëm shumë tema të bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të dy qeverive, patëm një moment pushimi të veçantë, me autorët kosovarë dhe aktorin e madh Gerard Depardieu, të cilët po xhirojnë në Shqipëri filmin ‘Unë dhe Millosheviqi’”, ka shkruar ai.

Komento: