Ramiz Lladrovci: Mikpritja sllovake, më shumë se mikpritje sportive

21:00 | 27 Mars 2026
ramiz-lladrovci:-mikpritja-sllovake,-me-shume-se-mikpritje-sportive

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vlerësuar lart mikpritjen në Bratislavë gjatë ndeshjes mes Sllovakia dhe Kosova, duke e cilësuar atë si të veçantë dhe mbresëlënëse.

Në një reagim në Facebook, Lladrovci ka theksuar se gjatë qëndrimit dyditor në Sllovaki është befasuar pozitivisht nga kultura dhe sjellja e qytetarëve.

“Mikpritja sllovake, më shumë se mikpritje sportive. Gjatë qëndrimit dyditor për të përcjellë ndeshjen, Sllovaki-Kosovë, në Bratislavë, kam qenë shumë i befasuar për të mirë”, ka shkruar ai.

Ai ka veçuar respektin e treguar ndaj Kosovës, sidomos gjatë intonimit të himnit shtetëror.

“Kultura e manifestuar e qytetarëve sllovakë, në rrugë, në mjetet e qarkullimit publik, objektet hoteliere, e veçanërisht gjatë intonimit të himnit të Kosovës, është për t’u lavdëruar”, ka theksuar Lladrovci.

Lladrovci ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët sllovakë për mikpritjen, duke e cilësuar atë shembullore.

“Shpreh mirënjohje të thellë e të sinqertë për institucionet shtetërore e sportive, për qytetarët dhe publikun në stadium, për këtë mikpritje shembullore”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, një përvojë e tillë nuk është hasur më parë, pavarësisht pjesëmarrjes së tij të vazhdueshme në ndeshjet e Kosovës.

“Kam shkuar në çdo ndeshje të kombëtares së Kosovës për këto dhjetë vjet, por nuk e kam hasur mikpritje sikur në Sllovaki. Mikpritja, ashtu sikur fitorja jonë, do të mbahen mend gjatë”, ka shtuar Lladrovci.

Ai ka falënderuar futbollistët, stafin dhe tifozët për përjetimin e kësaj ngjarjeje sportive.

“Faleminderit futbollistë, trajner, staf i Federatës së Futbollit të Kosovës, tifozë e qytetarë që jetuat dhe përjetuat me emocione këtë ngjarje të paharrueshme sportive”, ka shtuar Lladrovci.

Komento: