Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas raportimeve për atentatet e planifikuara ndaj Lumir Abdixhikut, Memli Krasniqit dhe disa deputetëve.
Ai tha se rastet e kërcënimeve duhet të trajtohen me profesionalizëm nga organet e rendit.
Haradinaj ka shkruar se është përballuar me kërcënime të ndryshme madje edhe “me jetë”.
“Në faza të ndryshme na ka rastisur edhe neve, edhe mua personalisht, që të përballeshim me kërcënime nga më të ndryshmet, kërcënime edhe me jetë. Edhe atëherë kur informatat për kërcënime na kanë ardhur në rrugë zyrtare, apo edhe nga burime të tjera, nuk e kemi alarmuar opinionin publik. E para që të mos i dëmtonim hetimet dhe e dyta që të mos shkaktonim ngarkesë të panevojshme tek opinioni publik!”
Postimi i plotë:
Çdo kërcënim ndaj kujtdo qoftë, duhet të merret seriozisht e të trajtohet me profesionalizëm nga organet e rendit.
Në faza të ndryshme na ka rastisur edhe neve, edhe mua personalisht, që të përballeshim me kërcënime nga më të ndryshmet, kërcënime edhe me jetë. Edhe atëherë kur informatat për kërcënime na kanë ardhur në rrugë zyrtare, apo edhe nga burime të tjera, nuk e kemi alarmuar opinionin publik. E para që të mos i dëmtonim hetimet dhe e dyta që të mos shkaktonim ngarkesë të panevojshme tek opinioni publik!
Do të ishte politikisht jo korrekte dhe e dëmshme madje, sikur përfshirja e opinionit publik në këtë temën e kërcënimeve ndaj figurave publike, të shfrytëzohej për t’i hequr nga vëmendja e popullit, qoftë edhe përkohësisht, temat e interesit popullor, siç janë; problemet ekonomiko-sociale e ato politike, apo edhe defektet e mëdha në politikën e jashtme të vendit!