Haradinaj nga Amerika: Kosova nuk duhet të harrojë se aleanca me ShBA-në është e përjetshme.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për agjendën e tij gjatë kësaj vizite.
“Sot, po e nisi një javë të vizitës sime në Uashington, ku do të qëndroj dhe do të marrë pjesë në ceremominë “Lutjet e Mëngjesit”. Gjatë kësaj vizite do të kem një agjendë e cila do të përfshijë takime në Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres, e po ashtu edhe takime tjera me institucione të rëndësishme”, ka njoftuar Haradinaj.
Ai ka shtuar se Kosova asnjëherë nuk duhet të harrojë që aleanca me ShBA-të është e përjetshme dhe duhet të mirëmbahet me punë.
“Ndjenjë e veçantë të takoj miqtë e vjetër të Kosovës, znj. Nancy Y. Bekavac, anëtare e Bordit të Universitetit Amerikan (AUK) dhe Shaun Burn, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë zëri ynë në Amerikë. Me këtë rast, i falënderova për gjithë kontributin e tyre që kanë dhënë me dekada!
Kosova asnjëherë nuk duhet të harrojë që aleanca me ShBA-të është e përjetshme dhe duhet të mirëmbahet me punë, komunikim të sinqertë dhe bashkëpunim të vërtetë”, është shprehur Haradinaj.