Haradinaj: Nuk qëndroj duarkryq kur janë në pyetje interesat nacionale.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk qëndron duarkryq kur janë në pyetje interesat nacionale.
Ai sot ka vazhduar bashkëbisedimin e tij me qytetarët e komunës së Fushë Kosovës. Nga atje Haradinaj tha se ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i gatshëm që t’i ndihmojë vendit.
“Në Fushë Kosovë ku bashkohen qytetarët e mbarë Kosovës dhe Luginës, sqarova se i kam vënë vetes obligim që të vizitoj të gjitha komunat e vendit për bashkëbisedim me qytetarët, obligim ky që del nga fakti se kam qenë pjesë e Çlirimit dhe shtetndërtimit të vendit, pjesë e politikës dhe institucioneve. Marrëveshja obligative ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke, ishte fokus i këtij takimi, pasi që vendimet e saj prekin të ardhmen e secilit prej nesh dhe fëmijëve tanë.
Sa i përket qeverisjes në vend, shpreha shqetësimin tim se vendi po shkon prapa, krizat ekonomike dhe energjetike, vetëm se po thellohen.
Përkundër zhgënjimit që kemi për këtë lloj qeverisje, unë dhe Aleanca, jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën dhe asnjëherë nuk do të qëndrojmë duarkryq kur janë në pyetje interesat nacionale”, ka shkruar Haradinaj.