Ramush Haradinaj për gazetën gjermane, tregon detaje rreth intervistimit të tij nga Specialja

10:32 | 08 August 2019

Ramush Haradinaj ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën gjermane.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ka thënë se asnjëherë nuk ka kërcënuar dëshmitarë.

Në këtë intervistë ai ka folur për dorëheqje dhe proceset politike në vend.

Ja intervista e plotë:

Ramush Haradinaj është lindur në vitin 1968 në Deçan, derisa kjo pjesë i takonte Krahinës Autonome të Kosovës, e cila ishte pjesë e Jugosllavisë së atëhershme. Pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mes të viteve 90, Haradinaj u emërua Komandant në rajonin e tij.

Pas angazhimit të NATO-s në Luftën e Kosovës nga e cila u ndoqën forcat serbe, Haradinaj themeloi partinë politike “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” (AAK) e cila arriti të etablohet në vend. Në fund të vitit 2004, Haradinaj u emërua Kryeministër i Qeverisë e cila atëbotë administrohej nga Misioni i OKB-së. Pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i OKB-së për krime lufte në Hagë, Haradinaj dha dorëheqje në Mars të vitit 2005.

Haradinaj u lirua nga Tribunali i Hagës pas procesit i cili zgjati 3 vite. Pasi ekzistonte dyshimi që është bërë presion mbi dëshmitarët, u ngrit edhe një aktakuzë, nga e cila ai u lirua sërish. Tani së voni, nga Gjyqi i posaçëm për Kosovën me seli në Hagë, Haradinaj u ftua muajin e kaluar si i dyshuar, gjithsesi pa një aktakuzë.

Haradinaj i cili qe zgjedhur Kryeministër në vitin 2017, me rastin e kësaj ftese nga Haga dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit siç pat vepruar edhe në vitin 2005. Ai vazhdon të jetë Kryeministër në detyrë pasi që nuk është emëruar një pasardhës në këtë post.

FAZ: Zoti Kryeministër, në korrik kur u ftuat si i dyshuar nga Dhomat e Posaçme për Krime të Luftës në Kosovë, ju refuzuat të jepni deklaratë. Për këtë shkak as këtu s’do të tregoni se çfarë akuzash u janë bërë atje?

Haradinaj: Hetuesit hapën çështjen që donin të mësonin nga unë, çështjen e fillimeve të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin tim aty. Me akuza specifike nuk jam konfrontuar. Avokati im i cili ishte i pranishëm me mua, më dha këshillën që as unë të mos përgjigjem në mënyrë specifike.

FAZ: Sa ka zgjatur marrja në pyetje?

Haradinaj: Rreth një orë.

FAZ: A prisni një aktakuzë?

Haradinaj: Për këtë nuk jam informuar. Jam ftuar dhe kam kryer detyrën time që të shfaqem aty. Çdo gjë tjetër i mbetet vlerësimit të Gjykatës.

FAZ: Në bazë të pyetjeve me të cilat ju kanë konfrontuar, a mund të nxjerrni një konkluzë nëse fjala është për të njëjtat akuza që u janë bërë dy herë nga Gjyqi i OKB-së për krime të luftës për ish-Jugosllavinë dhe ku ju si i akuzuar jeni mbrojtur?

Haradinaj: Ajo që mund të them është: Themelimi i UÇK-së dhe roli im në të, në dy proceset e mbajtura të cilat kanë zgjatur tetë vite dhe lirimi im në të dy këto procese, janë fare mirë të dokumentuara.

FAZ: Ekziston një qëndrim që Tribunali i Posaçëm është një instrument me të cilin provohet që politikanët e Kosovës të disiplinohen kur nuk dëgjojnë direktivat e qendrave perëndimore. A e thoni edhe ju këtë?

Haradinaj: Meqë vet kam qenë dy herë i akuzuar para Tribunalit për Krime të Luftës dhe dy herët jam liruar, për mua ishte një befasi e madhe që jam ftuar sërish. Nuk është kurrfarë fshehtësie që ndërrimin e kufijve në rajonin tonë, projekt ky i cili nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare është përkrahur, e kam refuzuar si tepër të rrezikshëm. Për këtë shkak edhe them që taksa prej 100 për qind për mallrat e Serbisë, e vendosur nga Qeveria që kam udhëhequr unë, do të qëndrojë derisa Serbia të pranojë Pavarësinë e Kosovës. Duke patur parasysh këto rrethana, natyrisht që ekzistojnë shumë teori dhe spekulime për atë sesi erdhi deri tek kjo ftesë për mua.

FAZ: Vendosja e taksës duket që ju ka kushtuar me përkrahjen e Ëashingtonit pasi që Presidenti Trump e përkrah shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.

Haradinaj: Për konsekuencat e mundshme kam qenë i vetëdijshëm, por kam qenë edhe i sinqertë me partnerët tanë në Ëashington dhe në Europë, në atë që u kam thënë: ndërrimi i kufijve kërcënon stabilitetin këtu në Kosovë dhe në krejt rajonin. Po kështu është e vështirë që ta hapim tregun për një shtet fqinj, i cili e vë në pikëpyetje ekzistencën tonë dhe na kërcënon. Për këtë shkak në Kosovë ekziston edhe uniteti që taksa do të mbetet derisa të vije tek njohja.

FAZ: Në Kosovë flitet që edhe Presidenti kosovar Hashim Thaçi është ftuar në Hagë, mirëpo ky për dallim nga ju këtë s’e ka bërë publike.

Haradinaj: Kam dëgjuar edhe unë këso spekulimesh gjithandej, mirëpo për këtë nuk mund të them asgjë. Për mua ka qenë e qartë menjëherë që vendin dhe qytetarët e mi duhet t’i informoj dhe duhet të jap dorëheqje. Në fshehtësi apo me marrëveshje të shfaqem para hetuesve për mua ka qenë e papranueshme. Për këtë shkak edhe dhashë dorëheqjen për herë të dytë në jetën time ndërlidhur me akuza të padëshmuara si shef i Qeverisë.

FAZ: Me dallimin që në dorëheqjen e vitit 2005 keni patur aktakuzë, kurse kësaj radhe jeni ftuar vetëm për marrje në pyetje.

Haradinaj: Mirëpo edhe si i dyshuar pa aktakuzë nuk dëshiroj që të udhëtoj në Hagë si Kryeministër. Këtë nuk kam dashur t’ia bëj shtetit dhe popullit tim.

FAZ: D.m.th., dorëheqja juaj nuk ka të bëjë me atë që ky koalicion ishte para shkatërrimit?

Haradinaj: Ky koalicion ka qenë para sfidave të mëdha, mirëpo këto nuk kanë ndikuar në dorëheqjen time. Një ftesë nga një gjyq paraqet një shkallë krejt të re.

FAZ: Si problem i proceseve të mëparshme kundër jush, ishte që dëshmitarë kundër jush kanë humbur jetën në aksidente, janë vrarë apo i kanë tërhequr dëshmitë.

Haradinaj: Këtu më duhet t’ju korrigjoj. Serge Brammertz, Kryeshefit të Tribunalit për Krime të Luftës, në vitin 2011 në Beograd i është shtruar e njëjta pyetje dhe ai është përgjigjur që në rastin tim as edhe një prej dëshmitarëve në listën e akuzës kundër meje apo në programin e dëshmitarëve nuk është vrarë. Në procesin e dytë të Hagës kundër meje, gjyqtarët kanë vërtetuar që kam udhëzuar që dëshmitarët të mos kërcënohen. Natyrisht që mbrojtja e dëshmitarëve është një temë në Kosovë, por është dëshmuar që është gabim që kjo të lidhet me proceset kundër meje. Të gjithë ata që kanë patur të dëshmojnë kundër meje kanë mundur ta bëjnë këtë gjë.

FAZ: Ju pra nuk do të thoshit që kosovarët të cilët do të dëshironin të dëshmojnë kundër ish-Komandantëve të UÇK-së nuk do të kërcënoheshin apo familjet e tyre nuk do të shpalleshin tradhtarë?

Haradinaj: Disa ndoshta edhe janë distancuar nga rrethi, derisa të tjerë janë mbështetur nga rrethi tjetër. Mirëpo ka patur jo pak raste kur njerëzit kanë provuar që të hyjnë në programin e dëshmitarëve të mbrojtur vetëm e vetëm që të sigurojnë jetë më të mirë në një vend tjetër. Këta i kanë ofruar aktakuzës bashkëpunim me identitet të ri dhe kanë shkuar aq larg sa janë betuar dhe pastaj gjyqtarët me përvojë e kanë vërejtur menjëherë. Kjo në të kaluarën ka ngjarë shumë shpesh.

FAZ: Dëshmitarë potencialë pra nuk janë kërcënuar nga ju apo palë e tretë asnjëherë?

Haradinaj: Nga unë jo dhe nga udhëzimet e mia asnjëherë. Ka patur njëherë një dëshmitarë i cili ka humbur jetën në një aksident me një serb të dehur në Mal të Zi. Mirëpo vetëm pas vdekjes së tij është marrë vesh që ai ishte në listën e dëshmitarëve potencial kundër meje. Unë e kam shprehur respektin tim kundruall Gjykatave kur kam dhënë dorëheqjet si Kryeministër dhe kur janë ngritur aktakuza kundër meje.

Komento: