Haradinaj përgënjeshtron Kurtin: S’ka rritje ekonomike, ka veç rritje të importeve nga Serbia.
Kryetari i AAK-së, njëherish deputet i kësaj partie, Ramush Haradinaj, përgënjeshtron kryeministrin Kurti për rritjen ekonomike.
Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore është 3.1% e jo siç e projektuat ju 10.5%. Inflacioni, poashtu sipas Bankës Botërore, është 19.1%. Kjo i bjen se fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës, është përgjysmuar.
S’ka si të jetë ndryshe, kur janë shtrenjtuar gjithë artikujt e domosdoshëm për jetesë, e qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave! E ka bllokuar edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç ishte “Kosova e Re” dhe gazsjellësi amerikan, me arsyetime qesharake, se megavati prej 80 eurove i dukej i shtrenjtë, e sot, çmimi i tij pothuajse është dhjetfishuar.
Nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre. Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike.
Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 % më shumë nga viti paraprak.
Prandaj deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë.