Haradinaj: Shteti s’mbahet me vitra, Kurti po vepron si mashtrues ordiner.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi në media u raportua se në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të vendoset që të ndahen edhe nga 100 euro për pensionistët, duke i quajtur këto “vitra”.
Haradinaj ka thënë se Kurti po vepron në stilin e “një mashtruesi ordiner”, duke ndarë herë 50 euro e herë 100, shtesa që ai i ka quajtur “lëmoshë”.
Sipas Haradinajt, zgjidhja është rritja e pagave dhe pensioneve. Ai e ka sugjeruar Kurtin që të marr shembull nga shtetet përreth.
“Jetesa në Kosovë po bëhet e papërballueshme, si pasojë e rritjes pa kontroll të çmimeve, e Kryeministri në stilin e një mashtruesi ordiner, provon që duke ndarë lëmoshë t’i mbajë “gjallë” pensionistët të cilët me aq sa marrin nuk i sigurojnë dot as ilaqet. Shteti nuk mbahet me “vitra”, herë 50 euro e herë 100 euro! Zgjidhja është me masa të përhershme. Rriti pagat e pensionet e mos e shndërro shtetin në “cirk social”. Pensionistët kanë nevojë për dinjitet e jo për lëmoshë. Nëse nuk di, merr shembull nga shtetet përreth”, ka shkruar Haradinaj.