Ramush Haradinaj zyrtarisht njofton Kuvendin për dorëheqjen

16:20 | 22 Korrik 2019

Ramush Haradinaj edhe zyrtarisht e ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës letrën e tij të dorëheqjes.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit, përmes një komunikate.

“Sot, kryeministri në dorëheqje i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dorëzuar në Kuvend zyrtarisht letrën e dorëheqjes së tij. Letra e dorëheqjes u është proceduar menjëherë anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare”, thuhet në njoftim.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të Kosovës të premten e javës së kaluar.

Në njoftimin për dorëheqjen e tij, Haradinaj ka treguar se është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u intervistar.

Haradinaj ka thënë se nuk do të shkojë në cilësinë e të parit të Qeverisë, pasi, sipas tij, kjo do t’ia rëndonte Kosovës gjendjen.

Komento: