Ramush Haradinaj, është treguar shumë i papërmbajtur sot.
Bashkëbisedimi me qytetarët e Mitrovicës i organizuar nga Nexhmedin Spahiu, në të cilin ishin të pranishëm kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e kryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, është përcjellë me tensione të shumta, shkruan Gazeta Express.
Fillimisht kishte qenë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte acaruar me një anëtarë të sindikatës së Trepçës, pasi ky i fundit i kishte thënë se do të ishte më mirë që gjysma e parave të dedikuara për autostradën e Dukagjinit, t’i ndahen Trepçës për gjenerim të vendeve të reja të punës.
I moshuari nga qyteti i Mitrovicës, madje i kishte thënë kryeministrit Haradinaj, se pavarësisht që vendimet merren nga një njeri, ato duhet të jenë të barabarta për secilin rajon të Kosovës, duke përmendur kështu edhe një rrugë në Mitrovicë që kishte mbetur pa u asfaltuar.
Kjo e kishte acaruar Haradinajn mjaft shumë, duke i thënë anëtarit të sindikatës së punëtorëve të Trepçës që “marre është me fol kështu”, me arsyetimin se Peja e Gjakova kanë bërë shumë për Mitrovicën.
E pas gjithë këtij tensioni, Haradinaj është përplasur edhe me kryetarin e Komunës Jugore të Mitrovicës, Agim Bahtirin, pasi ky i fundit i tha që e mori shumë afër zemrës deklaratën e të moshuarit nga Mitrovica.
“ Kryeministër pak e morre, rajonale.. Po nuk ke rajonale se na të repsketojna.”, iu drejtua Bahtiri, Haradinajt.
“Nëse do me bo debat unë me ty, hyjm në debat. Unë ia dhash një përgjigje prej zemre, po edhe me ty mundem me hy në debat kryetar”, ia kthen Haradinaj.
“Jo nuk e pata për debat, po e pat fjalën pak ma ndryshe po ska problem”, vazhdon Bahtiri.
Pas kësaj fjale të Bahtirit, Haradinaj acarohet edhe më tepër duke i thënë se s’ka nevojë për sqarimin e tij.
“Skam nevojë për ndihmën tonde, na shqip folim e merrem vesh. Nëse ki naj sen me mu fol, na merrem vesh në bisedë” ka vazhduar Haradinaj.
Pas kësaj ka folur përsëri Bahtiri, duke i thënë se nuk dëshiron të futet në debat me kryeministrin.