Claudio Ranieri rikthehet sërish në Itali, merr drejtimin e skuadrës nga Serie B.
Pas 31 vitesh, Claudio Ranieri është rikthyer sërish për të drejtuar Cagliarin.
Klubi italian ka njoftuar zyrtarisht këtë të premte për marrëveshjen e arritur me 71-vjeçarin, shkruan Gazeta Express.
Ranieri do të marrë drejtimin e Cagliarit nga 1 janari i vitit 2023, teksa ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2025.
Skuadra nga Sardenja bën gara në Serie B. Pas 18 xhirove të zhvilluara renditet në pozitën e 14-të me 22 pikë të grumbulluara.
Italiani ka një karrierë të bujshme si trajner. Përveç Cagliarit, ai në Itali ka drejtuar edhe Romën, Interin, Juventusin, Napolin, Parman, Fiorentinan e Sampdorian.
Ranieri ka zhvilluar karrierën edhe në Angli, ku ka drejtuar Watfordin, Fulhamin, Chelsean e Leicester Cityn.
Në Spanjë ka punuar me Atletico Madridin dhe Valencian, në Francë me Monacon e Nantes, teksa për një kohë të shkurtër ka drejtuar edhe Përfaqësuesen e Greqisë.