Nuk shqyrtohen raportet e auditimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka dështuar të mbajë mbledhjen e radhës në mungesë të kourumit.
Në rend dite ishte shqyrtimi i raporteve të auditimit për ndërmarrjet Posta e Kosovës, Telekomi i Kosovës dhe KRU “Prishtina”.
Kryetari i Komisioni, Driton Selmanaj, tha se raportet e auditorit është dashur të shqyrtohen pasi që kanë qenë shumë negative.
“Shumë çështje të rëndësishme si Posta dhe Telekomi e ujësjellësi e për të cilat kemi çka diskutojmë pasi raporti i auditimit është më se negativ por në mungesë kuorumi ne jemi të detyruar ta mbyllim mbledhjen”, tha Selmanaj.
Për deklaratën e Selmanajt që raporti i auditimit është tejet negativ kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha i tha Selmanajt që mos të paragjykojë raportet para shqyrtimit.
“Desha me i thënë kryetarit që mos me paragjykuar pasi nuk u diskutuar raporti”, tha Hoxha.
Selmanaj i tha atij se në komision vendos ai.
“Këtu nuk je në postë, këtu unë vendosi kujt me ia japë fjalën kujt jo, shihemi të premten”, tha Selmanaj.
Mbledhja e komisionit është shtyrë për të premten në orën 10:00-të.