Raportet politike Kosovë-Shqipëri në pikën më të ulët

08:08 | 28 November 2024
raportet-politike-kosove-shqiperi-ne-piken-me-te-ulet

Raportet politike mes Kosovës dhe Shqipërisë janë historikisht të ndërtuara mbi lidhjet e forta kombëtare, por në vitet e fundit, ato kanë shfaqur momente të tensioneve dhe mungesës së koordinimit.

Ndërsa retorika publike shpesh thekson bashkëpunimin strategjik, në praktikë, ndasitë politike dhe qasjet e ndryshme ndaj çështjeve të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare kanë krijuar herë pas here përçarje mes dy qeverive.

Marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë në kuadër të forumeve të përbashkëta, si mbledhjet e dy qeverive, kanë synuar forcimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe kulturor. Megjithatë, zbatimi i tyre ka qenë shpesh i ngadalshëm dhe i pamjaftueshëm.

Marrëveshje për lehtësimin e tregtisë, heqjen e barrierave doganore dhe bashkimin energjetik ende nuk janë realizuar plotësisht, duke nxjerrë në pah pengesat burokratike dhe mungesën e monitorimit të duhur.

Nga ana tjetër, sfidat politike dhe moskoordinimi lidhur me çështje si dialogu Kosovë-Serbi dhe qasja ndaj iniciativave rajonale, si “Open Balkan”, kanë rritur perceptimin për ndasi mes dy vendeve.

 

Haziri: Marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Shqipërisë në pikën më të ulët, ndërhyrjet e Kurtit po dëmtojnë koordinimin

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për FrontOnline, e theksoi si alarmante situatën e marrëdhënieve politike mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e quajtur atë në pikën më të ulët të mundshme. Ai u shpreh se, pavarësisht numrit të madh të marrëveshjeve të përbashkëta dhe aktiviteteve kulturore e ekonomike që lidhen me bashkëpunimin rajonal, koordinimi dhe konsensusi politik midis dy vendeve kanë degraduar ndjeshëm.

‘’ Tash e 25 vite ka një numër të madh të marrëveshjeve të përbashkëta dhe një aktivitet të madh që përfshinë edhe kalendarin kulturor edhe në sektorin e ekonomisë edhe në çështjen e Doganave dhe çështje tjera. Por mardhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës janë në pikën më të ulët të mundshme. E kam fjalën për për ato politike dhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për zbatimin e zotimeve të përbashkëta’’ u shpreh ai.

Haziri e theksoi fragmentizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve për shkak të ndërhyrjeve të papërshtatshme dhe strategjive të politikës së brendshme, duke përmendur ndërhyrjet e kryeministrit Albin Kurti në proceset zgjedhore në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai vuri në dukje se historikisht ka ekzistuar një bashkëpunim politik mes partive shqiptare, pavarësisht ideologjive, duke e filluar këtë traditë nga liderë si Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia deri te Sali Berisha e Fatos Nano gjatë viteve të vështira të luftës.

‘’Ka ekzistu një bashkëpunim politik mes partive politike pavarësisht ideologjive. Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia e kanë hapur kaptinën e parë të bashkëpunimit, masnej është vazhduar me Rugovën e Sali Berishën, që përfshinë edhe rolin e ministrave, në atë kohë Bukoshi e Fatos Nano apo në kohën e luftës Ilir Meta e Pandeli Majko’’, potencoi nënkryetari i LDK-së.

Lutfi Haziri, ka shprehur shqetësim mbi përpjekjet e Kryeministrit Albin Kurti për të ndikuar në proceset zgjedhore jashtë Kosovës, konkretisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kurti është i pari që ka ndërhyrë në zgjedhje jashtë Kosovës, duke u përpjekur të ndikojë në proceset politike në Shqipëri dhe Maqedoni. Por tani, ne kemi një situatë ku nuk ka dinamikë ashtu siç do të duhej të ishte.” u shpreh Haziri.

 

Lladrovci: Po më qan zemra për raportet Kosovë-Shqipëri

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, ka shprehur shqetësim të thellë për nivelin aktual të bashkëpunimit diplomatik dhe politik mes dy vendeve, duke e cilësuar atë të papranueshëm dhe nën pritshmëritë historike. Në një deklaratë të fortë, ai ka kritikuar mungesën e vizionit të përbashkët dhe ka bërë thirrje për një qasje më të bashkuar në promovimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

“E pabesueshme se ku kemi lejuar të bien këto raporte. Politika e bën punën e vet, por diplomacia është përtej politikës, si interes jetik i shtetit. Kur bëhet fjalë për raportet e Kosovës me Shqipërinë, ato duhet të njohin vetëm zhvillim, jo paralel apo ndaras, por në një binar, me një vizion dhe synim të përbashkët,” theksoi ai.

Lladrovci, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të gjithanshëm, duke përfshirë fushat e arsimit, kulturës, tregtisë dhe duke sugjeruar që kufiri mes dy vendeve të jetë vetëm një vijë simbolike, pa pengesa. Megjithatë, ai kritikoi ashpër realitetin aktual.

“Letra duron gjithçka, por realiteti flet më shumë se letra. Personalisht jam tepër i pakënaqur. Po më qan zemra për këto raporte nënçmuese për çdo atdhetar,” tha ai.

Duke nënvizuar rolin historik të Shqipërisë për Kosovën në proceset e saj të arsimit, luftës dhe çlirimit, ish-ambasadori Lladrovci, u bëri thirrje politikanëve të dy vendeve të veprojnë me përgjegjësi.

“Shqipëria nuk është vetëm një shtet për neve, është më shumë se kaq. Pa Shqipërinë, ne kurrë nuk do të arrinim të arsimohemi, të luftojmë dhe të çlirohemi. Politikanët shqiptarë duhet t’i kenë mendtë në krye, që të mos mbeten turpi i historisë,” përfundoi ai.

 

Nait Hasani: Kosova dhe Shqipëria duhet të përqafojnë ideologjinë e bashkimit kombëtar

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka theksuar rëndësinë e lidhjeve politike mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke deklaruar se ato duhet të shkojnë në frymën e bashkimit.

”Mardhëniet politike duhet të shkojnë në frymën e bashkimit’’, thotë ai për FrontOnline.

Ai e përshkroi çështjen e bashkimit kombëtar si një ide që duhet të përvetësohet dhe të ngulitet thellë në mendjet e qytetarëve, përfshirë edhe në arsim.

“Çështja e bashkimit kombëtar është çështje e idesë që duhet marrë seriozisht. Duhet ngulitet nëpër kokë dhe mësohet edhe nëpër shkolla,” tha Hasani.

Ai tha, megjithëse në rrethana politike jemi dy shtete, është e rëndësishme të festohen të dyja ditët kombëtare dhe të shtetit.

Sipas tij, ideja e bashkimit është shumë e dashur për çdo shqiptar, por, siç e theksoi, Kosova është e monitoruar nga faktorë ndërkombëtarë.

 “Faktorët ndërkombëtarë kanë përcaktuar një kushtetutë që ka një nen që thotë se nuk duhet të ketë bashkim me Shqipërinë dhe as me Serbinë, si shtet i pavarur,” përfundoi Hasani.

Ai apeloi që përpjekjet për bashkëpunim dhe integrim të vazhdojnë, duke ruajtur identitetin e çdo kombi.

 

Komento: