Raporti i BE-së për Kosovën: Kosova ta themelojë Asociacionin pa vonesa, të tregoj fleksibilitet për përparim të shpejtë

17:18 | 12 October 2022

“Kosova ta themelojë Asociacionin pa vonesa, të tregoj fleksibilitet për përparim të shpejtë”.

Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën është publikuar sot. Ndër të tjerash, në kapitullin e katërt të këtij raporti flitet edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe që të avancojnë negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme të normalizimit, pa vonesa të mëtejshme. Arritja e kësaj marrëveshje është urgjente dhe vendimtare që Kosova dhe Serbia të avancojnë në rrugët e tyre europiane”.

Në raport përmendet marrëveshja për Energjinë dhe marrëveshjen për dokumentet e identifikimit.

“Palët pritet që urgjentisht të arrijnë një marrëveshje për targat, pasi dështuan që të gjejnë një zgjidhje të përhershme brenda Grupit Punues të dedikuar për targat të udhëhequr nga BE-ja, mandati gjashtëmujor i të cilit skadoi në prill 2022”.

Po ashtu, sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, BE ka përmendur edhe moslejimin e mbajtjeve të zgjedhjeve dhe referendumit të Serbisë në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar lehtësimin e votimit nga OSBE-ja, sipas praktikës së kaluar, për t’i mundësuar komunitetit serb të Kosovës të votojë në referendumin kushtetues të Serbisë dhe zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2022. Duhet një qasje konstruktive nga Kosova për Serbët e Kosovës të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike”.

Ndër të tjerash, në raport flitet edhe për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit 2015. Autoritetet e Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprime për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Kosovës i kërkohet të angazhohet në mënyrë konstruktive në themelimin e saj pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”.

Ndërkaq, nga Serbia kërkohet që të hapet ura në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve.

“Në përgjithësi, Kosova ka mbetur e angazhuar në Dialog. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të mbajë zotimet e saj të mëparshme dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës në kuadër të Dialogut. Duke ecur përpara, Kosova gjithashtu duhet të bëjë përpjekje thelbësore të mëtejshme për të shmangur veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialog. Kosova duhet të kontribuojë në një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme normalizimi me Serbinë, në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare. Presim që Kosova të angazhohet në mënyrë më konstruktive në negociatat për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme të normalizimit në periudhën e ardhshme dhe të tregojë fleksibilitet për të bërë përparim të shpejtë dhe konkret”.

Komento: