Raporti i KIPRED: Mediet serbe dhe ruse prodhuan mijëra lajme të rreme dhe dezinformata për Kosovën.

14:50 | 25 Shkurt 2021

KIPRED me raport: Mediet serbe dhe ruse prodhuan mijëra lajme të rreme dhe dezinformata për Kosovën.

Instituti Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) ka publikuar një raport nga monitorimi i medieve serbe dhe ruse, ku thuhet se prodhuan mijëra lajme të rreme dhe dezinformata për Kosovën.

Monitorimi i mediave serbe dhe ruse është një raport tremujor që synon t’i analizojë trendët dezinformuese të lajmeve të botuara në publikimet e përzgjedhura mediale në gjuhët angleze dhe serbe që origjinën e kanë në Serbi dhe Rusi, dhe që e vejnë në shënjestër Kosovën.

Mediat e përzgjedhura që origjinën e kanë në Serbi dhe që janë të njohura për botimin e lajmeve me përmbajtje dezinformuese janë Tanjugu, Informeri, Novosti, Kuriri, B92-shi, Politika dhe Naša Borba, ndërsa mediet e përzgjedhura përkatëse që origjinën e kanë në Rusi janë Russia Today, Sputnik International, Sputnik Serbia, Meduza, Russia Insider-i, TASS-i, The Moscow Times, Newsfront, Unz, Duran dhe Pravda Report.

Ky Observer i Dezinformatave për Kosovën po ashtu i analizon edhe dokumentet dhe deklaratat që kanë të bëjnë me Kosovën të botuara nga Kremlini dhe nga Ministria Ruse e Punëve të Jashtme.

Monitorimi i të dhënave tregon se që nga 1 korrik deri më 30 shtator 2020, publikimet mediale që origjinën e kanë në Serbi i kanë botuar 1,348 lajme që drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë ndërlidhen me Kosovën.

Trendet dezinformuese të mediave serbe tregojnë se vlera më e lartë në përqindje e raportit lajme/lajme dezinformuese ka qenë në gusht 2020 me 6.7 për qind, e vijuar nga 2.3 për qind në korrik dhe nga 1.5 për qind në shtator 2020.

Monitorimi i të dhënave tregon se nga data 1 korrik deri më 30 shtator 2020, publikimet mediale në Rusi kanë botuar 624 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë pasur të bëjnë me Kosovën.

Sputnik – botimi në serbisht, i ka botuar 520 lajme, Sputnik International 17, Russia Today 20, Russia Insider 5, Meduza asnjë, TASS-i 13, The Moscow Times 6, Pravda Report 0, Newsfront 21, UNZ-i 6, Durani 8, Kremlini 1 dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse 7 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë pasur të bëjnë me Kosovën.

Komento: