Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur së fundi për ngjarjet e fundit, për taksën dhe raportin me Amerikën.
Thaçi po ia lë fajet kryeministrit Ramush Haradinaj për prishjen e marrëdhënieve me Amerikën, duke thënë se kjo ka ndodhur si pasojë e mosdëgjimit të këshillave amerikane nga Qeveria e Kosovës, sa i përket taksës për produktet serbe e boshnjake.
Presidenti po thotë se marrëdhëniet e shkëlqyera që shteti më i ri Evropë, kishte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë luhatur.
I pari i vendit në një prononcim për T7, ka thënë se raportet mes dy shteteve janë lëkundur si pasojë e mos dëgjimit të këshillave amerikane nga qeveria e Kosovës, sa i përket taksës ndaj produkteve serbe.
Thaçi, ka një kërkesë për qeverinë.
“Realisht kjo situatë nuk do të duhej të ndodhte në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, askush nuk ka menduar që të vij një situatë të tillë, tek një fokus më i zvogëluar të Amerikës për Kosovën, qytetarët e Kosovës janë më proamerikanët në botë, dhe qeveria e Kosovës duhet të ndjekë këtë vullnet të qytetarëve”, është deklaruar ai.
Shefi i shtetit tashmë ka identifikuar përgjegjësit për ftohjen e marrëdhëniet mes Kosovës e Amerikës.
“Çdo devijim nga ky orientim i popullit të Kosovës, është jo i drejtë dhe është në këndin e gabuar të historisë që duan qytetarët e Kosovës, prandaj përgjegjësia bie mbi ata që kanë krijuar këto situata të ndera, të panevojshme krejt”, shtoi ai.
Ditëve të fundit Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, në vazhdimësi po kanë përplasje.
Madje ky i fundit e ka akuzuar Thaçin, se po tenton të mashtrojë qytetarët e Kosovës, për çështjen e korrigjimit të kufijve.