Raporti i SHBA-së konfirmon mbështetjen për transformimin e FSK-së, thotë Maqedonci

13:15 | 23 Maj 2026
raporti-i-shba-se-konfirmon-mbeshtetjen-per-transformimin-e-fsk-se,-thote-maqedonci

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se raporti i DASH-it konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës  për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.

Ai në një postim në Facebook shkruan mes tjerash se vlerësimi në raport sipas tij, paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së,

“Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë. Përkrahja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë”.

“Po ashtu, vlerësojmë lart njohjen e rolit të Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare. Angazhimi ynë për t’iu bashkuar përpjekjeve shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale. Kjo pasqyron qartë transformimin e Kosovës nga konsumues i sigurisë në ofrues të saj.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe në avancimin e aspiratës sonë të palëkundur për integrim të plotë euro-atlantik”, shkruan Maqedonci

Komento: