Autoblinda e Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës ka rënë nga ura, në vetaksidentin që ndodhi sonte rreth orës 20:00, në Grabovc të Zveçanit.
Kështu u shpreh Agim Bahtiri, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, në një postim në Facebook, duke uruar shërim të shpejtë të zyrtarëve policorë që janë lënduar.
“Para pak minutash pranova lajmin për incidentin e rëndë në Veri, ku një autoblindë e NJSO-së ka rënë nga ura, duke lënë të lënduar disa nga policët tanë të guximshëm. Urojmë nga zemra shërim të shpejtë për të lënduarit dhe jemi pranë tyre në këto momente, ashtu siç ata janë pranë nesh gjithmonë”, ka shkruar Bahtiri, ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Rastin në fjalë për Front Online e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut.
Të lënduar nga vetaksidenti janë tetë persona.