Raportuesi në Bundestag për situatën në veri: Nuk jemi aktor politik

09:04 | 19 Qershor 2023

Masat ndaj Kosovës, raportuesi në Bundestag: Nuk jemi aktor politik.

Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut, Boris Mijatoviq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se për zhvillimet e fundit nuk ka një zgjidhje të lehtë, po se duhet shumë punë.

“Kryeministri Albin Kurti është zgjedhur me shumicë absolute mbi 50% të votave. Ai sigurisht është në gjendje të zbatojë atë që ka premtuar tani dhe nuk mund të tregojë kompromise në një koalicion. Z. Kurti është i përkushtuar për Punë dhe Drejtësi dhe vepron në këtë drejtim. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka fituar gjithashtu zgjedhjet, por duhet të përballet me forcat e tij revanshiste dhe nacionaliste në vend dhe të fillojë të përmbushë atë për çka është rënë dakord”, ka thënë Mijatoviq.

Ndërkaq, Mijatoviq e ka përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të cilin ka thënë se është një sfidë për të dyja palët.

“Ka një sugjerim shumë të mirë nga Fondacioni Friedrich Ebert. Ka shumë modele të tjera se si të zbatohet një shoqatë komunash. Z. Vuçiq tani po flet sërish për autonomi. Nuk mendoj se është toni i duhur. Ne si bashkësi ndërkombëtare duhet të jemi të kujdesshëm që të dyja palët të qëndrojnë në tavolinë dhe të mos gjuajnë njeri-tjetrin me këmbë nën tryezë”.

Në një intervistë për DW shqip, ai u pyet edhe reagimet dhe masat që u vendosën ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të cilat tha: “Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm që të mos veprojmë shumë si lojtar në këtë situatë. Ne nuk jemi aktor politik në parlamente apo në qeveri. Ne kemi një rol të politikës së jashtme. Ne mund ta mbështesim situatën me shkëmbime diplomatike. Por gabojmë kur ndërhyjmë në politikë dhe bëhemi aktorë politikë në terren. Ky është një problem që haset edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, siç mund ta shohim nga z. Schmidt. Është më mirë t’i qasemi situatës dhe detyrës me përulësi dhe të përqendrohemi në atë që duam: që z. Vuçiq dhe z. Kurti të ulen në një tryezë dhe të mendojnë se si duhet ta trajtojnë situatën në kufi, në mënyrë që të sigurojnë një të ardhme paqësore të dy vendeve fqinje në Evropë”.

Komento: