Raportuesi për Serbinë: Duhet impuls i ri për dialogun, t’i japim kohë Kurtit të tejkalojë retorikën e fushatës.
Raportuesi i ri për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilcik, ka folur rreth vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Begradit, pasi sipas tij në këtë çështje duhet të shihet një përparim praktik dhe që situate duhet të zhbllokohet.
Bilcik në këtë intervistë për “blicin’ serb ka folur edhe rreth zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për emërimin e ambasadorit Richard Grenell si Përfaqësues Special për dialogun Kosovë-Serbi i Presidentit të SHBA’së, Donald Trump.
“Ne duhet të shohim përparim praktik në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Kur e them këtë, mendoj që situata duhet të zhbllokohet, dhe të ndodh një impuls i ri në diskutimet e nivelit të lartë. Parlamenti Evropian vazhdimisht ka kërkuar fazë të re të dialogut dhe përshpejtim të ritmit të negociatave. Uroj që udhëheqja e re politike në Prishtinë do të jetë në gjendje të kontribuojë në këtë proces.”, ka thënë Bilcik.
Bilcik ka komentuar edhe deklaratën nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili ka paralajmëruar heqjen e taksës, nëse Serbia heq dorë nga fushata e saj për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
“Në mënyrë që të shënojmë përparim në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, dëshira e madhe politike duhet të shfaqet nga të dyja palët. T’i japim pak kohë zotëri Kurtit që ta tejkalon retorikën e fushatës zgjedhore në Kosovë”, u shpreh Bilcik.
Ai e komentoi edhe emërimin e Richard Grenell si i dërguar special i SHBA-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Jam i lumtur që aleatët tanë po tregojnë vëmendje gjithnjë e më të madhe për rajonin, por edhe dialogun. Një partneritet i fortë BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor është një shenjë e mirë. Mezi pres të punoj me të, dhe gjithashtu me Mattheë Palmer, sa herë që kemi mundësi të inkurajojmë rezultate konkrete të përbashkëta nga dialogu Beograd-Prishtinë”, theksoi ai.
Tutje Blicik ka thënë se arritja e një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ndërlidhet me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë nuk mendoj se zgjedhjet në SHBA kanë të bëjnë me ndonjë afat kohor për dialog. Ajo që është thelbësore për perspektivën evropiane si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën është të gjesh një marrëveshje reciproke të pranueshme dhe ligjërisht të detyrueshme. Ne duhet të gjejmë zgjidhje praktike në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar ai.