Rashica e ka bindur shpejt Okan Burukun, Galatasaray gati të ushtrojë të drejtën e blerjes së tij

10:26 | 21 September 2022

Milot Rashica është bashkuar me Galatasaray disa ditë më parë si huazim nga Norwich City.

Sulmuesi nga Kosova nuk kishte hapësira te Norwich dhe u huazua te Galatasaray, ku tanimë ka debutuar me gjigantin turk.

Rashica debutoi në fitoren e Galatasarayt 2-3 ndaj Kasimpasas, derisa në sfidën ndaj Konyaspor nuk luajti fare duke qëndruar në bankën rezervë për gjatë 90 minutave.

Por duket se ylli kosovar e ka bindur trajnerin e Galatasarayt, Okan Buruk dhe pritet t’i jepet hapësirë më e madhe pas ndeshjeve të Kombëtareve.

Gazeta e madhe turke Fanatik ka raportuar se Rashica ka bindur trajnerin Buruk dhe Galatasaray pritet të nxitojë për ta blerë kartonin e Rashicës.

Gjithnjë sipas mediumit turk, sulmuesi nga Kosova është shumë i lumtur me jetën në Stamboll dhe që është pjesë e një top klubi si Galata.

Drejtuesit e klubit turk pritet që të nisin bisedimet me Norwichin menjëherë për blerjen e Rashicës.

Te Galata janë të bindur se Rashica do të shpërthejë në Superligën turke dhe kjo është arsyeja që po nxitojnë për të nënshkruar kontratë afatgjate me të.

Skuadra angleze nga ana tjetër pritet të kërkojë rreth shtatë milionë euro për shitjen e ish-anëtarit të Vitesses e Werder Bremenit.

Komento: