Rashica ia ‘bën bajat’ Piatekut

17:18 | 20 Mars 2019

Milot Rashica po shkëlqen këtë sezonë të Werder Bremen.

Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica është duke kaluar këtë sezon një formë fantastike, të cilën e ka treguar në çdo aktivizim me Werder Bremenin, teksa ka ndihmuar skuadrën jo vetëm me gola por edhe me asistime.

Ndërkohë, si për të faktuar paraqitjet fantastike të vushtrriasit, janë publikuar disa statistika përsa i përket futbollistëve të kampionateve më në zë europianë për moshën nën 23-vjeç, të cilët janë aktivizuar për të paktën 800 minuta.

Në këto statistika shihet qartë se sulmuesi ka lënë prapa shumë emra të njohur. Rashica renditet në vendin e dytë për goditjet në kuadrat me një mesatare 4.4 për ndeshje, 22-vjeçari ka lënë pas në listë emra si Federiko Kieza, Lautaro Martinez, Luka Joviç apo Kristof Piotek, ndërsa vetëm Kampioni i Botës, Kilian Mbape, ka bërë më mirë me 4.8 goditje në kuadrat.

Ndërkaq, përsa i përket golave të shënuara pa penallti gjatë 90 minutave, Rashica mban vendin e 4, teksa ka lënë pas Marsial, Gabriel Zhezus apo Dembele. Në fakt, statistikat janë sa për të konfirmuar talentin e Rashicës, pasi cilësitë e tij në fushën e blertë janë të padiskutueshme.

Komento: