Rashicën e dëshiron me çdo kusht Galatasaray, zbulohen dy ofertat që ia ka dërguar Norwichit

19:16 | 21 April 2023

Galatasaray e dëshiron me çdo kusht Rashicën, zbulohen dy ofertat që ia ka dërguar Norwichit.

Galatasaray dëshiron që ta mbajë Milot Rashicën.

Sulmuesi kosovar, që është i huazuar nga Norwich City, duket se ka bindur krerët e gjigantit turk për të shqyrtuar mundësinë e blerjes së përhershme të tij, shkruan Gazeta Express.

“Hurriyet” ka raportuar se Galatasaray tashmë i ka dërguar dy oferta te klubi anglez për Rashicën.

Oferta e parë thuhet se është në vlerë prej 7.5 milionë eurosh, ndërsa e dyta është që lojtari të rrijë në Turqi edhe për një sezon në formë huazimi, por që të përfshihet në marrëveshje opsioni i blerjes, që do të vlente për në verën e vitit të ardhshëm.

Te Norwichi thuhet se janë duke pritur që të përfundojë së pari sezoni aktual, para se të marrin një vendim përfundimtar për të ardhmen e vushtrriasit.

“Kanarinat” janë në garë për t’u rikthyer në Premierligë sezonin e ardhshëm, por ende nuk kanë siguruar asgjë. Varësisht nga kjo, do të varet edhe e ardhmja e Rashicës.

26-vjeçari ka regjistruar 24 paraqitje deri më tani me Galatasarayn në të gjitha garat, teksa ka shënuar gjashtë gola dhe ka kontribuar me pesë asistime.

Milot Rashica me Norwich Cityn ka kontratë të vlefshme dëri më 30 qershor 2025.

Komento: