Rasti “Brezovica” bartet në Gjykatën Themelore të Pejës

22:17 | 21 October 2022

Lënda e procedurës paraprake për rastin “Brezovica”, deri tani ka qenë tek gjyqtari Ibrahim Idrizi. Mirëpo, pas kërkesës së tij për përjashtimin e lëndës, rasti është bartur në Gjykatën Themelore në Pejë.

Lajmin e kanë konfirmuar nga zyra për informim në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Nga zyra për informim e Gjykatës së Ferizajt, bënë të ditur se gjyqtari i çështjes, Idrizi, e kishte paraqitur kërkesën për përjashtimin e lëndës të evidentuar me numër 2022:019820 dhe konform dispozitave të nenit 37, paragrafi 2 dhe 3 të KPPRK-së, lënda është bartur në kompetencë në Gjykatën Themelore në Pejë.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar listën e 75 pronave, kryesisht villa, ku figurojnë emrat e pronarëve, ku ka gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë blerë villa apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar villa.

Në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të tria niveleve të gjyqësorit. Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme. Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.

Sekuestrimet e këtyre pronave, sipas dokumenteve të siguruara, rezulton se janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, ku theksohet se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin.

Pas aktakuzës së ngritur në vitin 2022 për degradim të Brezovicës nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, rasti Brezovica është zgjeruar, duke rritur numrin e personave të arrestuar dhe personave që janë nën hetim, përfshirë zyrtarë dhe biznesmen të ndryshëm, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Komento: