Rasti Brezovica, shteti sekuestron villat e milionerit Fatmir Grainca

20:57 | 02 December 2022

Dy villa luksoze të biznesmenit Fatmir Grainca janë sekuestruar sot nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në aksionin e njohur si “Brezovica”.

Biznesmeni ferizajas, pronarë i kompanisë “Hit Imperial”, kur ishte kërkuar në mars nga Policia, kishte ikur nga shtëpia.

Ai nuk ishte paraqitur as në gjykatë atë muaj, për shkak të problemeve shëndetësore.

Kështu pati thënë avokati i tij, Avni Ibrahimi, i cili tutje ka shpjeguar se klienti i tij gjendet në spital, pa dhënë detaje të tjera, nëse është duke u shëruar në Kosovë, apo jashtë saj.

Grainca është i përfshirë në rastin për korrupsion, ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit në vargmalet e Sharrit, konkretisht në Brezovicë.

Ai ka një aktakuzë të hapur pikërisht për këtë çështje.

“Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës”, shkruan në aktakuzën të cilën e posedon Insajderi.

Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.

Gjykimi ndaj Graincës dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.

Po, për shkatërrimin e Brezovicës, Grainca ishte kërkuar edhe në mars, por nuk ishte gjetur nga Policia.

Një muaj pas ai ishte dorëzuar dhe kishte pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë.

Villat e ndërtuara jashtëligjshëm nga “Hit Imperial”, firma e Graincës, tashmë janë në pronësi të disa prej figurave të njohura publike, siç janë Shyhrete Behluli dhe Ledri Vula.

Grainca aktualisht është aksionar i klubit të Ferizajit dhe njëherësh anëtar i bordit, ai po ashtu ka edhe aksionet e kompanisë që merret me tregtinë e karburanteve, HIT Petrol dhe N.T.P. KONSUM-F.G, e cila operon në fushën e tregtisë së artikujve ushqimorë në Ferizaj, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

Komento: