Rasti i bixhozit, Prokuroria e Mitrovicës do të kërkojë 30 ditë paraburgim – hetimet përfshijnë edhe incizime të fshehta

22:40 | 19 Prill 2026
rasti-i-bixhozit,-prokuroria-e-mitrovices-do-te-kerkoje-30-dite-paraburgim-–-hetimet-perfshijne-edhe-incizime-te-fshehta

Prokuroria Themelore në Mitrovicë pritet të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për 34 të arrestuarit për aktivitete bixhozi.

Burime të Gazetës Insajderi bëjnë të ditur se prokuroria posedon edhe incizime të fshehta, të cilat do të përdoren përgjatë hetimit të të pandehurve.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se kërkesa do të parashtrohet nesër pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se nga aksioni i mbrëmshëm (18.04.2026) kundër bixhozit ka arrestuar gjithsej 34 persona, ka sekuestraur 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera.

Sipas njoftimit, aksioni i Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është zhvilluar në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt.

“Në totalin e bastisjeve/kontrolleve dhe arrestimeve janë përfshirë edhe veprimet e ndërmarra policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione të ndryshme, 8 persona janë arrestuar dhe nga ta 4 janë derguar në mbajtje. Këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe organizimit të aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike”, u tha në njoftim.

Në mesin e të arrestuarve është edhe mitrovicasi Arber Berani, pronar i NOX Gym Athletics.

Po ashtu, i arrestuar ishte edhe Fahredin Mujka, vëllai i Faruk Mujkës, kryeshefit ekzekutiv të Ibër Lepencit

Në mesin e të arrestuarve janë: Dardan Sahiti (34), Arbër Berani (37), Fahredin Mujka (55), Andi Maxhuni (23), Flamur Sahiti (36), Bujar Muli (41), Xhevat Syla (52), Besim Islami (53), Raif Sylaj (41), Albert Miftari (29), Shaban Ahmeti (46), Nexhat Maloku (54), Behxhet Syla (44), Arsim Islami (51), Fisnik Deberlluka (48), Mensur Selmani (36), Blerim Berisha (42), Daut Maloku (30), Nexhmedin Haziri (49), Atdhe Rexhepi (49) dhe Bahtir Maxhuni (52). /Insajderi.org/

Komento: