Spitali i Pejës ka njoftuar se ka suspenduar shtatë punonjës për skandalin që ka ndodhur në këtë institucion shëndetësor, ku raportohet se një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e mbështjellë me çarçafë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, nga spitali kanë thënë se janë duke u zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit.
“Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyren se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët. Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në postim.
Në fund thuhet se rasti është ende në hetim dhe sapo që organet e hetuesisë dhe Inspektoriatit shëndetësor të dalin me konstatime e veprime përfundimtare, opinioni do të njoftohet me detaje të ngjarjes dhe me masa adekuate të parapara me ligj.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka thënë se rasti ka ndodhur javën e kaluar, ndërsa janë në fazat fillestare hetimore.
Tutje, ai njoftoi se prokurorja e rastit e ka pritur në takim prindin e foshnjës, ku e ka informuar për të gjithë rastin.
“Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Prokurorja e rastit ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje”,
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se lidhur me rastin kanë filluar hetimet.
“Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai.
Postimi i plotë:
Në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë në mbrëmjen e datës 13.12.2022 tek një shtatëzën e shtrirë në Spitalin tonë është bërë diagnostifikimi i frytit të vdekur nga ana e mjekut kujdestar, dhe si rrjedhoj ka ndodhur një intervenim kirurgjik dhe fetusi nxirret me prerje cezariane i vdekur në javën e 32 të gestacionit.
Menjëherë me të ndodhur rasti organet e hetuesisë në njëren anë dhe paralelisht organet menaxheriale të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë janë duke bërë hetime të detajuara lidhur me këtë rast.
Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyren se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët.
Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit.
Rasti është ende në hetim dhe sapo që organet e hetuesisë dhe Inspektoriatit shëndetësor të dalin me konstatime e veprime përfundimtare, opinioni do të njoftohet me detaje të ngjarjes dhe me masa adekuate të parapara me ligj.