
Vazhdojnë edhe më tej hetimet për rastin e Oliver Ivanoviqit.
Seanca dëgjimore në lidhje me gjykimin e të pandehurve të akuzuar për përfshirje në rastin e Oliver Ivanoviq, kreut të Nismës Qytetare të SDP, do mbahet ditën e nesërme.
Seanca dëgjimore ishte shtyer për me datën 30 dhjetor, pasi mbrojtjes nuk iu përkthye teksti i aktakuzës së ndryshuar në gjuhën serbe.
Seanca dëgjimore pritet të jetë publike, meqë për procesin ka interes të madh.
Në seancë, të pandehurit do të deklarohen shkurtimisht dhe pastaj do të diskutohen provat e paraqitura nga prokuroria dhe mbrojtja.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 2 dhjetor kundër gjashtë personave – Nedeljko Spasojeviq, Marko Rosiq, Dragisha Markoviq, Zarko Jovanoviq, Radet Basara dhe Silvana Arsoviq, duke i akuzuar ata për përfshirje në eliminimin e Ivanoviqit.
Drejtuesi i Nismës Qytetare të SDP-së, Oliver Ivanoviq u privua nga jeta më 16 janar të 2018-ës, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Aktakuza akuzon të pandehurit për veprat penale të përfshirjes ose organizimit në një grup, keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës së rëndë, mbajtjes pa leje ose kontrollit të mjetit, zbulimin e një zyrtari sekret, shpërdorim të detyrës zyrtare në komision dhe manipulim i provave në bashkëkryerje.
Asnjë nga personat në këtë aktakuzë nuk është akuzuar për privim nga jeta.
Aktakuza pretendon se ky grup i dyshuar kriminal nuk është formuar rastësisht, por funksionon që nga viti 2011.