
‘‘I gjithë sistemi shëndetësor është alarmuar’’, për rastin e rëndë të pesë vjeçarit në Lipjan, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Duke komentuar trajtimin mjekësor që i është bërë fëmijës, ministri ka lavdëruar punën e stafit mjekësor, si në klinikën e pediatrisë edhe në repartin e intensives.
Vitia ka theksuar se 5 vjeçari ka qenë në gjendje të rëndë, i cili përveç plagëve ka qenë edhe i traumatizuar, dhe ‘’pothuajse më shumë pak komunikim’’.
‘‘Gjendja e tij edhe ditën e vizitës ka qenë stabile. Drejtoria e SHSKUK-së, po edhe drejtoresha në klinikën e pediatrisë më kanë informuar në kohë reale vazhdimisht për gjendjen e vogëlushit dhe pas marrjes, qetësimit njëherë, i është ofruar përveç mbështetjes shëndetësore edhe gjithë mbështetja psikosociale: psikologë, psikiatër, por edhe ortopedë e lami të tjera të cilat janë lidhur me pjesën shëndetësore, një grup i specialistëve”, ka thënë Vitia në konferencën për media.
Ministri ka deklaruar edhe se, 5-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje, dhe se tani gjendja e tij ‘’është më mirë’’, dhe se, fëmija ka filluar pak ‘’edhe komunikimin verbal’’.
“Dhe dje i është nënshtruar një ndërhyrje ku për shkak të gjendjes së rënduar, sidomos në njërën shputë, është bërë një intervenim në mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë. Ka dalë nga salla, fillimisht i intubuar, po pastaj është qetësuar shumë shpejt sepse secili pacient që del nga salla është një procedurë standarde operimi. Sot është gjendja stabile, ka filluar pak edhe komunikimi verbal. Gjendja është më mirë. Ka pasur një anemi të lehtë për çka të gjitha masat janë marrë që të evitohet përmes edhe transfuzionit të gjakut por edhe barnave të tjera”, ka shtuar ndër tjerash Vitia.
Përveç tij, për këtë rast është deklaruar edhe ministr për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti. Ky i fundit, ka njoftuar se është marrë një raport preliminar, dhe se, ka theksuar Hoti, nëse konstatohen shkelje nga qendra, atëherë ai ka siguruar se ‘’do të merren të gjitha masat ligjore’’.
“Ne kemi marrë një raport preliminar dhe do ta shpjegoj pak a shumë se çfarë përmban ky raport preliminar, domethënë në momentin që ne pranojmë raportin përfundimtar nga njësia e inspektimit dhe nëse konstatohen vërtet shkelje nga qendra, nga QPS-ja, atëherë mund t’ju siguroj që do të merren të gjitha, ama të gjitha masat ligjore që janë në kompetencë time, duke përfshirë edhe revokimin e licencave për individët që punojnë në atë QPS’’, ka thënë ai.
Ministri Hoti, po ashtu ka bërë thirrje kryetarëve të komunave që të rrisin kapacitetet në qendrat për punë sociale, në mënyrë që të parandalohen raste të tilla.
‘‘Duhet thënë se kanë qenë para dy vjetësh gjashtë zyrtarë dhe aktualisht janë vetëm tre zyrtarë. Në këtë rast më duhet patjetër që përmes juve, përmes mediave, t’u bëj thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që të rrisin kapacitetet në qendrat për punë sociale, duke përfshirë edhe aspektin njerëzor, kapacitete humane, por edhe infrastrukturë, në mënyrë që ne pastaj të mund t’i dalim zot dhe të kemi një cilësi në trajtim të këtyre rasteve, që po mendoj në kuptim të parandalimit, sepse masi të ndodh rasti, ne i kryjmë punët tona, po për atë fëmijë kjo nuk ka shumë rëndësi”, ka deklaruar mes tjerash Hoti.