Një foshnje e lindur pa shenja jete me 13 dhjetor në Spitalin e Pejës dyshohet se u fut me çarçafë në lavatriçe. Prokuroria ka konfirmuar nisjen e hetimeve, ndërsa Spitali i Pejës ka suspenduar shtatë punonjës të tij, po ashtu paralajmërohen edhe suspendime të reja.
I kontaktuar nga Gazeta Express, zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti tregoi pozitat e punës së punonjësve të suspenduar.
“Në mesin e të suspenduarve janë katër mami, dy punëtorë të shërbimit teknik dhe një pastruse”, tha Sahiti.
I njëjti tha se rasti është në hetim nga spitali dhe prokuroria, duke mos e përjashtuar mundësinë edhe për suspendime të reja.
Foshnja dyshohet se kishte lindur pa shenja jete në javën e 32-të, teksa spitali tha se hetimet po bëhen në drejtim të “mënyrës se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët”.
Express ka kontaktuar edhe me kryetarin e Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj nëse pritet të ndërmarrin ndonjë veprim për 4 mamitë e suspenduara.
Rrustemaj tha se nga Spitali i Pejës i ka kërkuar emrat e katër mamive dhe vendimi për to pritet të merret nesër në orën 14:30.
“E kam thirr spitalin me mi dergu emrat dhe e kam thirrë prokurorin e Odës mi vazhdu procedurat sipas ligjit. Emrat ende nuk mi kanë dërgu. Nesër në orën 14:30, merr vendim prokurori i odës”, tha Rrustemaj për Express.
Rrustemaj tha se në kësi raste, “licencën e revokojmë varësisht prej shkeljeve dhe i fshijmë nga lista e Odës”.