Telekomi për momentin është në kaos të vërtetë.
Eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, e ka cilësuar si krim të përmasave të mëdha, kontratën që Telekomi i Kosovës kishte arritur me kompaninë “Dardafon.net”, lidhur me ndarjen e numrave për Z-Mobile.
Hamiti, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe të akuzuarve Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile.
Dëshmitari Hamiti, ka thënë se me një kontratë të tillë është dëmtuar rëndë interesi publik.
“Të gjitha fondet që janë fitu këtu janë fonde publike. Të gjitha të hyrat që Z Mobile ka fituar kanë qenë publike. Po të mos ishte Z Mobile të gjitha ato fonde do të ishin të PTK-së. Kjo është një mekanizëm plaçkitës. Moszbatimi i marrëveshjes ka pas si motiv të shkojë rasti me arbitrazh dhe të krijohet edhe një mekanizëm për plaçkitje edhe më të madhe”, ka thënë Hamiti.
Ai ka thënë se një gjë e tillë është skemë shkollore e krimit të organizuar.
“Janë ata që e nisen, ata qe e licencuan, ata që e nënshkruan me borde dhe ata që e zbatuan. Ju po merreni me një rast, e jo me krejt zanafillën e krimit”, ka thënë tutje Hamiti, në dëshminë e tij.
Anëtarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, e ka pyetur dëshmitarin se si i ka marr informatat lidhur me këtë rast. “A keni qenë në PTK, në borde apo qysh, se prej mediave krejt i kena infot. Tash prokuror sqarona çfarë cilësie ka dëshmitari”, ka pyetur gjykatësja Kuka-Mekaj.
Prokurori Naim Abazi, ka reaguar duke i thënë gjykatëses se po merr rolin e kryetares së trupit gjykues.
Derisa, dëshmitari Hamiti, ka deklaruar se për shkak të kësaj kontrate, Telekomi i Kosovës është duke falimentuar.
Pas kësaj, sërish gjykatësja Kuka-Mekaj, e ka pyetur dëshmitarin se ku i ka marr këto fakte, derisa Hamiti është përgjigjur duke thënë se kjo pyetje është e panevojshme. “Unë po ju kallxoj ku është ujku, ju po thoni ku jonë fërkemet”, ka thënë dëshmitari Hamiti.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Qerimi, avokati Ramiz Krasniqi, e ka pyetur dëshmitarin se ai ka njohuri për problemet e Telekomit në periudhën 2012-2014 dhe nëse ka qenë anëtar i ndonjë bordi apo ndonjë komisioni në PTK, por dëshmitari ka thënë se nuk ka qenë në pozita të tilla.
“Po të kisha qenë do të kisha treguar. Dëshiroj që para mediave t’iu jap një dëshmi që desha të lexoj këtu, por nuk mu lejua. Kjo nuk është keqpërdorim detyre, por pjesëmarrje në krim te organizuar”, ka thënë ndër të tjerash dëshmitari Hamiti.
Në seancën e së hënës, kanë munguar palët e dëmtuara Blerim Devolli si dhe Milot Gjikolli dhe avokati i tij, Faton Qirezi. I pranishëm ka qenë përfaqësuesi i Devollit, Driton Musliu.
Seanca po vazhdon me dëshmitë e dëshmitarëve tjerë që janë paraparë të dëgjohen në seancën e së hënës.
Ndryshe, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.
Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.
Sipas aktvendimit të gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lutfi Shala, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt, ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.
Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.
Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.
Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.
Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.
Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro dhe 65.000 funte.
Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.
Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.