Në orët e para në mëngjesit është bërë djegia e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok.
Hetues nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, mëngjesin e sotëm kanë dalë në vendin ku persona ende të panjohur kanë djegur Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok.
Ekipi i IndeksOnline ndodhet në vendin e ngjarjes ku ka parë nga afër dëmet e shkaktuara dhe punën e Policisë së Kosovës drejt zbardhjes së këtij akti kriminal.
Rasti është raportuar sot rreth orës 01:00 pas mesnate dhe është konfirmuar nga vet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata. Po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes”, ka thënë ministri Sveçla.
Këto veprime kriminale, sipas tij, tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri.
“Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdoj me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ministri.
Ai ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve.