Rasti “Panda”, Kurti: Serbia ende fsheh të vërtetën për vrasjen e 6 të rinjve serbë

03:08 | 15 December 2024
rasti-“panda”,-kurti:-serbia-ende-fsheh-te-verteten-per-vrasjen-e-6-te-rinjve-serbe

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmin terrorist të Serbisë në kafeterinë “Panda” në Pejë, që ndodhi 26 vjet më parë.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se më 14 dhjetor 1998, shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore.

“Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin në Kosovë. Pas këtij sulmi, forcat serbe arrestuan më shumë se 150 shqiptarë në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan dhe torturuan në mënyra ҫnjerëzore edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishte 22, ndërsa më i riu 17 vjeç. Gjashtë të rinjtë shqiptarë, në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të pafajshëm”, tha Kurti.

Ndër tjera, ai shtoi se 26 vjet pas, shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serb.

“Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, mohon gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, mohon masakrën në Srebrenicë, edhe masakrën në Reçak. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë janë të domosdoshme”, ka thënë Kurti./Gazeta10

Komento: