
Gjykata e Apelit ka aprovuar pjesërisht vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, ishin dënuar (së bashku) me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.
Përmes një komunikate për media, Apeli ka njoftuar se vendimi i shkallës së parë është ndryshuar në raport me konfiskimin dhe kompensimin e dëmit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), duke e aprovuar kështu ankesën e të akuzuarit Gëzim Morina, si të bazuar.
Sipas Apelit, ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve Gëzim Morina, Donard Draga dhe Hysni Morina për vendimin mbi dënimin janë refuzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.44/23, të datës 30.10.2023, i ka refuzuar si të pa bazuara, ankesat e mbrojtëseve të akuzuarve G.M, av. Reshat Millaku, D.D, av. Sali Mekaj dhe H.M, av. Arbër Jashari përkitazi me vendimin mbi dënim, ndërsa ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e të akuzuarit G.M, të paraqitur përmes mbrojtësit av.Reshat Millaku, ashtu që aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.28/23 të datës 04.07.2023, e ka ndryshuar në raport me konfiskimin dhe kompensimin e dëmit të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në njoftim.
Apeli thekson se kompensimi do të bëhet nga mjetet e konfiskuara nga i akuzuari Morina sipas urdhëresës së PPPS.nr.47/21 të 2 shkurtit 2022, në lartësi prej 8 mijë e 400 euro, të përcaktuara si në aktgjykimit të ankimuar.
Sipas këtij njoftimi, në arsyetim të aktgjykimit, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtëseve, për një dënim me të butë nuk janë të bazuara, për faktin se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimi të dënimit ka vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit.
“Kjo gjykatë ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve si dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, theksohet se lidhur çështjen kompensimin të dënimit të ngritur nga mbrojtësi i Morinës, kolegji penal pas vlerësimit të fakteve të çështjes ka ardhur në përfundim se kërkesa e mbrojtësit është e bazuar.
“Për rrjedhojë, në çështjen që është objekt shqyrtimi kompensimi i dëmit financiar i shkaktuar Ministrisë së Bujqësisë, duhet të bëhet nga mjetet e konfiskuara sipas urdhëresës së gjykatës së shkallës së parë, PPPS.nr.47/21 të dt.02.02.2022 në lartësi prej 8.400.00 €, të përcaktuara si në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Ndryshe Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, ishin dënuar (së bashku) me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 qershor 2023.
Gëzim Morina ishte shpallur fajtor për veprën penale “Dhënia ryshfeti” dhe ishte dënuar me gjobë në shumën prej 1 mijë euro dhe dënim burgim në kohëzgjatje prej 9 muaj. Kurse, për veprën penale “Mashtrim me subvencione” ishte dënuar me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Të njëjtit iu është konfiskuar shuma e parave në shumë prej 8 mijë e 400 euro.
Afrim Mehmetajt për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, ishte dënuar me gjobë në shumën prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, ku me pëlqimin e tij dënimi me burg mund t’i zëvendësohej me 4 mijë euro gjobë.
Ndërkaq, të akuzuarit Mehmetaj për veprën penale “Mashtrim me subvencione”, i ishte shqiptuar dënim më gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Po ashtu, i ishte shqiptuar dënim plotësues, ku i njëjti sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë obligohej që të bëjë kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikë së Kosovës, në shumën prej 7 mijë euro.
Donard Draga për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, ishte dënuar me gjobë në shumën prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj. Më pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burg mund t’i zëvendësohej në dënim me gjobë prej 4 mijë euro.
Ndërkaq, të akuzuarit Draga për “Mashtrim me subvencione”, i ishte shqiptuar dënim më gjobë në shumën prej 5 mijë euro.
Hysni Morina për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, ishte dënuar me gjobë në shumën prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj. Mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burg mund të zëvendësohet në dënim me gjobë.
Në shpallje të aktgjykimit, u tha se gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Ndërkaq në këtë rast akuzoheshin edhe Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, mirëpo pas veçimit të procedurës ndaj tyre, ishin dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Ndryshe, sipas akakuzës së 22 dhjetorit 2022, 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”, Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi.