Policia e Kosovës ka sqaruar rastin në Prishtinë.
Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuara sot në disa media, që kanë të bëjnë me rastin e që ka ndodhur me 27.02.2019 në Prishtinë, ju informojmë se:
Me datën 27.02.2019 në ora 01:58 personi A.J. ka telefonuar Policinë e Kosovës përmes linjës emergjente 192, për të paraqitur shqetësimet e tij rreth një problematike e cila ka rezultuar me mosmarrëveshjeje, në mes tij dhe mikut të tij.
Zyrtari policor kompetent me detyrë në qendrën e thirrjes që ka qenë në kontakt me palën, sipas procedurave ligjore ia ka dhënë te gjitha udhëzimet te njëjtit që të paraqitet në stacion policor për ta paraqitur rastin dhe se njëkohësisht është njoftuar se Policia e Kosovës është e gatshme të ju dalë në ndihmë 24 orë .
Në ora 02:45 personi A.J. është paraqitur në stacionin policor Qendra në Prishtinë, për të paraqitur një rast tjetër , ku ka deklaruar se i njëjti (vet ai) e ka sulmuar/rrahur djalin e mikut të tij (B.Sh. 26 vjeçar), për një fyerje (sms ofendues) dhe mosmarrëveshje në mes veti.
Vlen të potencohet se gjatë kësaj kohe personi A.J. ka qenë i shoqëruar me mikun e tij (vëllain tjetër të B.Sh.).
Policia e Kosovës përmes zyrtarëve kompetent, menjëherë ka kontaktuar përmes telefonit, personin (palën e dëmtuar (B.Sh. 26 vjeçar), i cili në deklarimet e tij ka thënë se ka qenë vetëm një mosmarrëveshje e vogël dhe se nuk dëshiron të vijë në stacion për të denoncuar rast ndaj personit A.J. (dhëndrit të tij).
Referuar procedurave pasi nuk ka pasur elemente për te hapur rast, personi A.J. është udhëzuar që për rastet e kërcënimeve të mëhershme nga miku i tij, me që mesazhet vinin nga Austria, t’i paraqes në stacionin policor “Veriu” Prishtinë, në zonën e banimit të tij, për ndërmarrje të veprime të mëtutjeshme policore.
Personi A.J. rreth orës 03:30 është paraqitur në stacionin policor Veri , për të deklaruar lidhur me pretendime te tij për mesazhet kërcënuese, që i kishte pranuar përmes telefonit nga miku i tij i cili gjendej në Austri.
Me që këto mesazhe kërcënuese kanë qenë indirekte, (pasi të njëjtat ishin dërguar në telefonin e bashkëshortes se tij, nga i njëjti është kërkuar që të ftohet bashkëshortja për t’i sjellë mesazhet kërcënuese dhe për të deklaruar lidhur me rastin.
Sipas udhëzimeve të dhëna personi A.J. pasi gjatë kësaj kohe sipas tij ka qenë në orarin e punës, ka kërkuar nga policia për ta lënë një takim te radhës në po të njëjtin stacion, në po të njëjtën ditë rreth orës 07:00, ku do të sillte mesazhet dhe personin tjetër (bashkëshorten) për të dhënë deklaratë dhe për të hapur rastin.
Zyrtarët kompetent të PK-së, i kanë dhënë udhëzimet dhe sugjerimet e duhura konform autorizimeve dhe procedurave te parapara ligjore, që i njëjti sipas kërkesës së tij të paraqitet në stacionin policor së bashku me bashkëshorten e tij, në mënyrë që të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet policore sipas dispozitave te parapara ligjore, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur fare në kohën e kërkuar nga vet ai.
Vlen te potencohet se për të gjitha veprimet policore, duke filluar nga kontakti i komunikimit të parë të personit A.J. përmes linjës emergjente 192 me zyrtaret kompetent policor, Policia e Kosovës i posedon audio-incizimet, e po ashtu edhe të gjitha raportet zyrtare rreth këtij rasti.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore me qellim të ofrimit të sigurisë dhe parandalimit të të gjitha rasteve kriminale, dhe në të gjitha rastet ku mund të paraqitet ndonjë lëshim eventual nga kompetentet ndërmerr masat e parapara sipas dispozitave ligjore.