Reagim i ashpër për grevën, po shkelën të drejtat e nxënësve

15:30 | 28 Janar 2019

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka vlerësuar se vazhdimi i grevave po shkel të drejtat e nxënësve dhe pacientëve.

Grevës në arsim e asaj në shëndetësi së shpejti mund t’i bashkohen edhe shërbyesit civilë, të cilët po ashtu po kërkojnë rritje të pagave. Sipas deputetëve, buxheti i shtetit nuk i përballon të gjitha këto kërkesa, ndërsa analistët politikë vlerësojnë se masivizimi i grevave e rrezikon qeverinë “Haradinaj”.

Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se të drejtat e pacientëve dhe të nxënësve në Kosovë janë duke u shkelur me vazhdimin e grevave.

“Kemi shkelje drastike të të drejtave të njeriut, qoftë të pacientëve, qoftë të nxënësve, të cilët tani po hyjnë në javën e tretë që nuk po vijojnë mësimet. Përderisa jemi në këtë situatë besoj që duhet të reagojnë prindërit dhe pacientët, sepse ata janë duke e pësuar. Ata në asnjë mënyrë nuk duhet të pësojnë shkaku që punëtorët shëndetësorë nuk merren vesh me Qeverinë. Tani kanë paralajmëruar grevë edhe punëtorët e administratës, e cila do ta krijojë një vakuum total”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet të gjendet një kompromis në mënyrë që grevat të mos vazhdojnë.

“Ligji për Pagat është mollë sherri mes Qeverisë dhe të të gjitha sindikatave, për shkak se këta po vlerësojnë se Qeveria vetes dhe zyrtarëve po ua rrit rrogat, ndërkaq nuk po ndajnë mjete për arsimin, për shëndetësinë e as për administratën civile. Duhet të jetë një kompromis mes kërkesave të sindikatave dhe atyre të ofruara nga Qeveria”, ka thënë ai.

Shala ka konsideruar se me rritjen e pagave sipas kërkesave të punonjësve shëndetësorë dhe atyre të arsimit shteti do të hyjë në kolaps.

“Është e pamundur që në rrethanat aktuale të bëhen rritjet e kërkuara. Duhet të bëhet një zgjidhje e ndërmjetme. Në qoftë se këmbëngulet që të rriten rrogat për punëtorët shëndetësorë, për arsimin dhe për administratën, atëherë shteti do të jetë në kolaps shtetëror dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i përmbushë kërkesat dhe në këtë mënyrë të gjithë do të dalin humbës, pacientët e studentët”, ka theksuar ai.

Komento: