Reagim i DnV-së lidhur me moscertifikimin e kandidatëve nga LS

10:56 | 11 Dhjetor 2025
Reagim i DnV-së lidhur me moscertifikimin e kandidatëve nga LS

Demokracia në Veprim ka shprehur shqetësimin e saj për vendimin e djeshëm të KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe, pavarësisht se ata, sipas Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente.

Sipas DnV-së, procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore dhe praktikat e konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, jo në interpretime apo vendimmarrje të motivuara politikisht.

DnV vlerëson se “ky është tashmë rasti i disatë ku KQZ-ja devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme”.

“Përvoja e deritanishme tregon se vendime të tilla, brenda pak ditësh, zakonisht anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave, duke krijuar vonesa të panevojshme dhe minuar besimin në administrimin zgjedhor”, thotë DnV.

Kjo OJQ thotë se kompetencën për të verifikuar kandidatët nëse kanë plotësuar kushtet apo nuk i kanë plotësuar sipas Ligjit, e ka vetëm Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll financiar të subjektiveve politike.

DnV i bëri thirrje anëtarëve të KQZ-së që të shmangin abstenimet dhe vendimmarrjet e tilla, por të sigurojnë që proceset zgjedhore të mos dëmtohen nga vendime që tejkalojnë kompetencat ligjore ose praktikën e deritanishme.

Komento: