Reagimi i Qeverisë, pasi Serbia mbrëmë e kërkoi haptas Veriun

16:01 | 04 June 2019

Serbia mbrëmë haptazi kërkoi Veriun, por si reagojë Qeveria e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, të hënën ka thënë se Veriu i Mitrovicës nuk mund të mbetet nën sovranitetin e Prishtinës. Daçiq ka zgjedhur që përsëri të lëshojë deklarata provokuese në drejtim të Kosovë dhe të ngritë tensionet në veriun e Kosovës, atje ku strukturat paralele funksionojnë me direktiva nga Beogradi. Ndërkaq nga Qeveria e Kosovës thonë se këto janë deklarata populiste.

Daçiq këtë pozicion të shtetit serb e ka bërë publik në prag të takimi të Parisit ku Kosova dhe Serbia pritet të diskutojnë mundësinë e vazhdimit të bisedimeve.

“Veriu i Kosovës nuk mund të qëndrojë nën sovranitetin e Prishtinës dhe fund. Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron ta mbyllë çështjen e Kosovës si problem që gjeneron jostabilitet, besoj se kjo çështje do të zgjidhet”, ka thënë Daçiq në një intervistë për televizionin O2.

Ai ka thënë se problemi për këtë formulë nuk qëndron në mospajtime mes SHBA-së e Rusisë, por mes SHBA-së dhe partnerëve të saj evropian.

Ndërkaq këto deklarata të Daçiçit po i duken populiste Këshilltarit politik të Kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshit.

Matoshi ka thënë për Express se sovraniteti i institucioneve të Kosovës është i shtrirë në tërë territorin e vendit dhe se deklaratat e kryediplomatit serb duhet injoruar.

“Institucionet e Kosovës kanë sovranitet të plotë në tërë territorin kushtetues të vendit. Deklaratat populiste janë për përdorim të brendshëm dhe si të tilla i injorojmë”, ka thënë Matoshi.

Komento: