Kirurgët e QKUK-së i reagojnë Vjosa Osmanit: Presidentja injoroi dhe nënçmoi kolegjiumin e kirurgëve.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani zgjodhi një spital privat për të kryer një ndërhyrje që në QKUK kryhet që nga viti 2004.
Osmani u operua në Klinikën “Aloka” për të hequr “tëmthin” apo siç njihet në gjuhën popullore “idhzën”.
Vendimi i presidentes u kritikua shumë, e së fundmi reaguan edhe Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në reagimin e tyre të cilin e ka publikuar gazetari Bujar Vitija, thuhet se “Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilat udhëheq është e papranueshme për të gjithë”.
“Në bazë të informatave nga mediat, presidentja i është nënshtruar një procedurës e cila në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale është rutinë ditore që nga 12 Nëntorë 1999 me përqindje të suksesit 99,9%. Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të Kirurgëve e në veqanti institucionit mbi të cilat udhëheqë është e pa pranueshme për të gjithë”, thuhet tutje në reagim.
Zyra e Presidentes së Kosovës e ka konfirmuar e ka mbrëmë për Gazetën Online Reporteri.net, intervenimin kirurgjik të Vjosa Osmanit që sipas tyre ka qenë i lehtë dhe është realizuar me sukses.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, thotë njoftimi i Zyrës për media të Presidencës.
Osmani kompetencat e saj i ka bartur përkohësisht tek Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, deri në kthimin në zyrë të Presidentes që sipas njoftimit pritet të ndodhë sot.