Reagon AAK: Mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen dhe zotimin tonë

19:56 | 03 October 2022

AAK: Mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen dhe zotimin tonë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar për mos ekzekutimin e pagesave nga Qeveria për mësimdhënësit.

AAK-ja thotë se ky vendim është skandaloz, duke i shkelur të gjitha ligjet në fuqi.

“Vendimi i qeverisë për të penalizuar mësimdhënësit grevistë është të paktën skandaloz. Duke shkelur të gjitha ligjet në fuqi, qeveria e mashtrimit, gënjeshtrës, injorancës dhe arrogancës, përpos sjelljeve të panatyrshme për një qeveri gjatë grevës, ajo ka vazhduar me ndëshkimin e atyre që nuk mendojnë si ajo”, thuhet në reagim.

“Shtypja e atyre që mendojnë ndryshe, është cilësi e regjimeve autokratike e diktatoriale. Kjo ndodh në Kosovë, pasi që i tërë pushteti ndodhet në dorën e një njeriu”.

Tutje, AAK potencoi që qeveria po kërkon armiq të brendshëm, te sindikata e opozita.

“Qeveria e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale, po kërkon armiq të brendshëm, te sindikata e opozita, te mësimdhënësit, personeli shëndetësor, administrata publike, Policia e zjarrfikësit”.

“Por populli i Kosovës nuk është i verbër. Ai e sheh dhe e vuan në kurriz degradimin ekonomik, krizën energjetike dhe ngritjen enorme të çmimeve. Ata e shohin në veprim qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, e që korrupsionit i dha model e formë të re”.

“Mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen tonë dhe zotimin tonë që nuk do të ndalemi së kundërshtuari këtë vendim jonjerëzor, e nëse në këtë mandat nuk do të kemi mundësi e numra që të ndryshojmë diçka për të mirën e tyre, atëherë qeverisja e ardhshme e Aleancës, do të kompensojë secilin, ashtu siç kemi kompensuar gjatë mandatit tonë edhe mësuesit e viteve ’90të”.

Komento: