Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë ndaj zgjedhjes jo legjitime të kryetarit të ri të Këshillit të Pavarur të Mediave, Besnik Berishës.
Sipas AAK-së, ky veprim shënon një tentativë të hapur “të regjimit të Kurtit për të kapur institucionet e pavarura të mediave”.
“Kjo lëvizje e orkestruar përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe pluralizmit të informacionit në Kosovë. Ndërhyrja kaq e ashpër e pushtetit në një institucion të pavarur, pikërisht në vlugun e fushatës elektorale, s’ka si të kuptohet ndryshe përpos si përpjekje për kontroll të mediave për qëllime elektorale”.
“Çdo përpjekje për të politizuar dhe kontrolluar institucionet e pavarura të mediave do të përballet me reagimin tonë të vendosur. Liria e mediave është themeli i demokracisë sonë dhe nuk do të lejojmë që ajo të bëhet pre e ambicieve autokratike të regjimit aktual”, thuhet në reagim.
Më tej, AAK-ja tha se do të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të paligjshëm dhe për të mbrojtur pavarësinë e mediave në Kosovë.