
Abelard Tahiri i PDK-së, i cili nuk ia doli të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës, ka dalë me një reagim sot. Në një postim në Facebook, Tahiri i ka falënderuar qytetarët, edhe pse votat që mori nuk ishin të mjaftueshme për t’u futur në Parlament.
“Faleminderit nga zemra të gjithë ju që më besuat votën tuaj. Edhe pse votat nuk mjaftuan për të siguruar edhe një mandat si deputet, mbështetja juaj është një përgjegjësi e madhe për mua.”
Megjithatë, ai shkroi se do të vazhdojë angazhimin për t’i shërbyer vendit.
“Do të vazhdoj të jem zëri juaj brenda strukturave të PDK-së dhe të angazhohem me përkushtim për të dhënë më të mirën që di, gjithmonë në shërbim të vendit tim dhe interesit qytetar. Besimi juaj më obligon të mos ndalem. Angazhimi im për ju dhe për Kosovën nuk përfundon me zgjedhjet, ai vetëm sa forcohet nga besimi juaj.”