Reagon ashpër ambasadori britanik Ruairi O’Connell.
Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila së fundi liroi Sami Lushtakun nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Përmes një shkrimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, O’Connell thotë se kjo është strategji e qëllimshme për të lejuar që kriminelët të jenë të lirë.
Ai ka theksuar se dështimi i Kosovës për të luftuar krimin i dëmton të gjithë, përveç kriminelëve dhe miqve të tyre.
”Përsëritja e të njëjtit gabim për dy apo tre herë mund të jetë shkak i paaftësisë apo moseksperiencës. Trjanimi do të ndihmonte në zgjidhje të këtij problemi. Por Kosova ka pasur me vite të tëra trajnime.
Në vend të kësaj, duke bërë të njëjtin gabim, kohë pas kohe duket sikur kjo është një strategji e qëllimshme për të lejuar kriminelët të ecin lirshëm. Dështimi i Kosovës për të luftuar krimin na dëmton të gjithëve, përveç kriminelëve dhe miqve të tyre jo – kuptohet”, shkruan O’Connell.
Më herët gjatë ditës lidhur me lirimin e Lushtakut ka reaguar edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
“Gjykata Themelore e Prishtinës, së fundi ka liruar disa të dyshuar në rastin e korrupsionit të njohur si KEK, me arsyetimin se lënda është e vjetër. Gjykatat duhet të mbajnë seancat dëgjimore në kohën e duhur. Drejtësia mund të vie në vend vetëm nëse rastet dëgjohen para se të skadojë afati ligjor për gjykimin e lëndës”, ka thënë ambasadori amerikan.