Reagon avokati kosovar, pas deklaratave të Dick Martyt

16:49 | 12 May 2019

Dick Marty sot kishte deklaruar se ka ende “dëshmi” për dëmet që janë bërë gjatë luftës më Kosovë.

E pas këtyre deklaratave të Martyt dhënë një gazete serbe, ka reaguar avokati kosovar, Arianit Koci, i cili ka thënë se ish-prokurori Marty, pas intervistave në media serbe, po del të jetë person i njëanshëm

Koci thotë se pas dorëzimit të raportit, Marty e ka kryer punën e vet dhe tash duhet të presë derisa organet tjera ta kryejnë punën e vet.

Sipas Kocit, në këtë rast Prokuroria dhe Gjykata janë ato që duhet ta bëjnë punën e vet, pasi përndryshe po devalvon komplet edhe Gjykatën por edhe Këshillin e Europës.

“Sidoqoftë, vet raporti i tij tashmë është i devalvuar tërësisht, dhe vet ish prokurori Marty, pas intervistave në media serbe, po del të jetë person i njëanshëm.
Çështjet penale zgjidhen në Gjykatë e jo në media. Z. Marty, si ish-prokuror e din këtë shumë mirë”, ka shkruar Koci.

Koci shton se me deklarime të vazhdueshme në media serbe, e sidomos me deklarimin e fundit, ku bëhen aludime për kinse fajësinë e individëve të caktuar pjestarë të UÇK’së, po shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë i cili është i garantuar me Kushtetutë, lidhe dhe konventa ndërkombëtare.

Ai thotë se intervista të tilla mund të cilësohen si tentativë për ndikimin në punën e Prokurorisë në Gjykatës.

“Ish-prokurori Marty, pas intervistave në media serbe, po del të jetë person i njëanshëm”, ka thënë Koci.

Marty ka thënë për gazetën serbe se vetëm e vërteta për konfliktin në Kosovë mund të çojë deri te pajtimi.

“Vetëm e vërteta për konfliktin në Kosovë mund të çojë deri te pajtimi. Unë vetëm pak e kam shpalosur. Mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim”, ka thënë Marty, për gazetën serbe “Vecernje Novosti”.

Dick Marty, që është një ish prokuror i shtetit në kantonin e Ticino të Zvicrës, ka thënë se libri i tij i ri “Një ide e caktuar e drejtësisë” flet për diçka të tillë.

Sipas tij, libri përmban elemente të cilat ai i ka zbuluar gjatë hetimeve të bëra, “në të cilat shumë dëme kanë mbetur të pa dënuar, siç është rasti me liderët shqiptarë në Kosovë”.

Ai thotë se ende nuk ka rezultate dhe se epilogu i tërë asaj që ka të bëjë me krimet në Kosovë është i paqartë.

“Edhe në konfliktin e Sirisë për të gjitha po përpiqen ta akuzojnë pushtetin. Gjërat nuk janë qa të thjeshta”, tha ai.

Komento: