Reagon Donika Gërvalla: Udha e mbarë i qoftë Doarsa Kica-Xhelilit

23:02 | 11 Shtator 2022

Gërvalla ka reaguar pas ikjes së Doarsa Kica-Xhelili nga partia.

Ditë më parë deputetja Doarsa Kica-Xhelili u largua nga partia Guxo që u themelua nga presidentja Vjosa Osmani dhe ju bashkua LDK-së së Lumir Abdixhikut.

Kjo ngjalli reagime të shumta tek zyrtarët e kësaj partie që pohuan se Kica-Xhelili nuk ju ka dhënë ndonjë arsye pse po largohet nga partia.

Por Kica-Xhelili në një intervistë si arsye për largim nga Guxo tha është meqë reforma në drejtësi nuk po materializohet ashtu siç ishte thënë.

Për largimin e kësaj të fundit nga partia, ka folur bashkëkreytarja e partisë Guxo Donika Gërvalla.

Ajo ka thënë se ajo dhe Vjosa Osmani e kishin identifikuar Doarsa Kica-Xhelilin si person inteligjent, por pas largimit të saj thotë “ura e mbarë i qoftë”.

“Doarsa Kica është një deputete e cila ka marrë votat në kuadër të Listës Guxo. Është shumë e vërtetë që si Presidentja Osmani, ashtu edhe unë personalisht deputeten Doarsa Kica e kemi identifikuar si një person inteligjent.

Në bazë të deklaratave të saj në të kaluarën Doarsa Kica kishte lënë të nënkuptonte që ajo çfarë ajo kërkon në politikë përputhet me atë çfarë mund të ofrojë Lista jonë. Zonja Kica është e rritur, është nënë. Duhet të dijë vet vendimet që i merr.

Unë një gjë mund të them, e tha edhe kryetari i sapo zgjedhur i Listës Guxo në Llap, e ardhmja u takon atyre që guxojnë. Nuk mjafton vetëm inteligjenca, nuk mjafton vetëm ambicia, por duhet edhe qëndrueshmëria.

Presidentja Osmani ka treguar deri sot ndoshta më qartë se gjithkush tjetër në Kosovë, që nuk mjafton vetëm të duash, por duhet edhe të tregosh që qëndron besnik të gjitha premtimeve dhe qëndrimeve të tua, parimeve të tua. Nëse zonja Kica mendon se diku tjetër e gjen më mirë, unë i uroj punë të mbarë dhe udhë të mbarë”, ka thënë Gërvalla për Raporto24.

Kujtojmë se deputetja Dorasa Kica-Xhelili ka deklaruar se Donika Gërvalla dhe Faton Peci, të dy drejtues të Guxo, ishin të informuar për largimin e saj.

“Njoftimin për tërheqjen, para se të ndodhë kjo që ka ndodhur këto ditë, Donika Gërvalla dhe Faton Peci e dinin se nuk do të merresha më me Guxo, një muaj apo dy muaj para dorëheqjes reale, më 5 gusht ua dorëzova edhe dorëheqjen zyrtare me shkrim”, ka thënë Kica.

Komento: