
Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku ka reaguar pas ndalimit që iu është bërë atij dhe dy zyrtarëve tjerë të Komunës së Prishtinës, më 8 shtator nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës. Mujku përmes një postimi tha se publikimet janë tentim i qëllimshëm për njollosje.
“Së pari ju falenderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua. Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njëllosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit” , ka thënë ai.
Ai ka thënë se është i pastër nga këto akuza, dhe se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.
“Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastërt si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia. Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero. Nuk do të ndalem në shërbim të drejtë dhe me integritet për vendin nga cilado pozitë që jam, sepse e kemi obligim profesional dhe moral. E paçit shëndetin, familjen e lumtur në shtëpi, miqtë e dashamirët afër, e drejtësinë në krah secili. Do ta nisni çdo ditë mirë kështu si unë” – ka shkruar ish-drejtori i QPS-së.