Reagon KB Prishtina: Skandal, Trepça u ofroi para gjyqtarëve grekë që të manipulonin në favorin e tyre

17:56 | 22 April 2023

KB Prishtina: Skandal, Trepça u ofroi para gjyqtarëve grekë që të manipulonin në favorin e tyre.

Një skandal i madh besohet se është zbuluar në elitën e basketbollit vendor, për ndeshjen mes Prishtinës dhe Trepçës.

Klubi prishtinas thotë se një person u ka ofruar ryshfet dy gjyqtarëve grekë të ndeshjes, Zacharis dhe Vardaris, për të manipuluar në favor të mysafirëve, njofton Klankosova.

Rasti është njoftuar te drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, të cilët pasi kanë biseduar me personat në fjalë, e kanë pranuar të gjithë ngjarjen.

“Falë syçelësisë dhe informatave nga njerëz të ndershëm të qytetit tonë, si dhe falë zgjuarsisë së njerëzve të devotshëm të klubit tonë, pas disa dyshimesh të bazuara, ju informojmë se më datën 20 prill, saktësisht ditën e zhvillimit të ndeshjes së tretë gjysmëfinale të pllejofit mes KB Sigal Prishtina dhe KB Trepça, kemi zbuluar skandalin më të madh të basketbollit në Kosovë që nga ekzistimi i tij dhe kemi parandaluar dëmin më të madh sportiv dhe etik ndaj klubit tonë, adhuruesve të shumtë të klubit më të trofeshëm shqiptar, si dhe ndaj gjithë atyre dashamirëve e sportdashësve të cilët e përcjellin me pasion klubin e tyre të zemrës duke besuar në integritetin e garës dhe ndershmërinë e personave zyrtarë”, thuhet në njoftim.

“Fatkeqësisht për këta dashamirë e sportdashës të pafajshëm e besnikë, e fatmirësisht për të mirën e sportit dhe integritetin e garës, ne në bazë të dyshimeve të bazuara, të konfirmuara nga informatat dhe të vërtetuara nga videoinçizimet, e më pas të pranuara nga vetë akterët e përfshirë, kemi zbuluar dhe pastaj kemi bërë kallëzimin e veprës penale ndaj një personi, i cili shihet duke i futur në veturën e tipit Mercedes dy referët grekë të ndeshjes, Zacharis dhe Vardaris, duke i ofruar ryshfet për manipulimin e ndeshjes mes KB Sigal Prishtina dhe KB Trepça, në favor të mysafirëve. Me të vërtetuar rastin kemi njoftuar drejtuesit e FBK-së, të cilët pasi kanë kuptuar rastin kanë biseduar me referët e lartpërmendur dhe ata e kanë pranuar ngjarjen. Kjo është edhe arsyeja se pse këta referë nuk kanë arbitruar ndeshjen”.

“Pasi që kemi zbardhur rastin atë e kemi denoncuar pranë organeve kompetente të Policisë së Kosovës para fillimit të ndeshjes dhe presim që sa më shpejtë të hapen procedurat penale ndaj të gjithë personave të përfshirë”.

“Ne jemi të përkushtuar maksimalisht për arritjen e rezultateve sportive vetëm me mjete sportive dhe në asnjë mënyrë tjetër. Kemi përgjegjësi edhe profesionale edhe morale edhe qytetare ndaj të gjithëve e sidomos ndaj shikuesve të ndershëm dhe fëmijëve të pafajshëm që vinë për ta parë një ngjarje sportive të bukur e për ta përkrahur ekipin e zemrës që ai të fitojë ndershëm dhe assesi me metoda korruptive”.

“Për hir të së ardhmes ftojmë organet kompetente në bazë të ligjit të mobilizohen që ta shpëtojnë sportin dhe basketbollin, t’i dënojnë të gjithë të përfshirët dhe t’jau ndalojnë përjetësisht praninë në ngjarjet sportive ku duan ta korruptojnë drejtësinë dhe ndershmërinë”.

“Në ndërkohë do t’i drejtohemi edhe organizatës më të madhe të basketbollit, FIBA-s, sekretarit Zagklis, si dhe Federatës Greke të Basketbollit, që secila prej tyre t’i ndërmarrë masat e parapara për ndëshkimin dhe parandalimin e dukurive më të këqija të sportit”.

Komento: