Reagon KMDLNj: Asociacioni të formohet sipas rekomandimeve të Kushtetueses

10:50 | 07 November 2022

KMDLNj: Asociacioni të formohet sipas rekomandimeve të Kushtetueses.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar për zhvillimet e fundit në vend lidhur me largimin e përfaqësuesve të Listës Serbë në institucionet qendrore si dhe në komunat veriore të vendit.

Në njoftimin e dërguar thuhet se vendimi i kryeministrit Albin Kurti për targat nuk ka qenë i duhur dhe se do të duhej të dëgjohej kërkesa e ndërkombëtarëve për shtyrjen e afatit të zbatimit për 10 muaj.

“Qeveria, ose është dashur të pranojë këtë shtyrje të afatit duke kërkuar garanca me shkrim, ose është dashur të mos e shtyjë për asnjë ditë të vetme. Realisht, është e qartë që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës ka qenë i planifikuar mirë dhe tabelat janë përdorur për të vënë në veprim përshpejtimin e formimit të Asociacionit e që tani e ka marrë formën e kushtëzimit, si nga Serbia ashtu edhe nga ndërkombëtarët”, thuhet në njoftim.

KMDLNj është deklaruar edhe pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për fillimin e themelimit të Asociacioni të komunave serbe.

“KMDLNj nuk e ka të qartë nëse këtë e kanë dëgjuar ndërkombëtarët që po insistojnë në formimin e menjëhershëm të Asociacionit, pa e kushtëzuar apo ndërlidhur me njohje reciproke. Vetëm mund ta merrni me mend se si do të sillen udhëheqësit e komunave të përfshira në Asociacion, kur kompetencat e tyre do të jenë shumëfishë më të mëdha se që i kanë sot?! Prandaj, KMDLNj propozon që Asociacioni të formohet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të bëhet pjesë e Pakos së Marrëveshjes përfundimtare”, thuhet në njoftim.

Komento: